Tare: Milinkovic? Me ofertën e duhur mund të largohet, Immobile dhe Inzaghi qëndojnë

Drejtori sportiv i Lazios, shqiptari Igli Tare në një intervistë për “SkySport”, foli për tema të shumta në ambientin bardhekaltër, nga sulmuesi Ciro Immobile e deri të serbi Milinkovic-Savic.

 “Për Immobilen nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Napoli dhe nuk kemi biseduar për diçka të tillë. Kjo për shkak se ai është Lazio dhe Lazio është Immobile. Mendoj, shpresoj dhe uroj që Ciro të qëndrojë edhe shumë vite të tjera me ne“, deklaroi Tare.

Për trajnerin Simone Inzaghi drejtuesi i Lazios u shpreh se shumë shpejt ky i fundit do të rinovojë kontratën pasi bardhekaltrit duan të vazhdojnë projektin që kanë nisur me të. Ndërkohë Tare nuk mohoi as interesin e Milanit në drejtim të tij gjatë verës së kaluar por vendosi me zemër dhe për këtë arsye qëndroi te Lazio.

Përsa i përket të ardhmes së mesfushorit serb Milinkovic-Savic, Tare nuk e përjashtoi mundësinë e largimit, por sipas kushteve që do të vendosë klubi italian, pra mesfushori serb do të transferohet në një klub tjetër vetëm nëse kënaqen kërkesat ekonomike të presidentit Claudio Lotito.