‘Kompromisi fals’ që po ofrohet për Reformën Zgjedhore

Ditën e hënë, diplomatët e rëndësishëm në Tiranë e nisën duke komentuar dështimin për arritjen e një marrëveshje për Reformën Zgjedhore. 
Pak a shumë qëndrimet e tyre shkojnë në një pikë: palët janë shumë afër marrëveshjes dhe duhet të heqin dorë nga pozicionet e pandryshueshme dhe vendosja e kushteve të reja. Kjo përkthehet: në një negociatë, askush nuk duhet të dalë plotësisht i fituar. Të gjithë duhet të lëshojmë për të arritur drejt asaj që njihet ndryshe edhe si ‘e mesmja e artë’.
Këtu shumë njerëz mund ta humbasin fillin dhe të mendojnë se ambasadorët e SHBA dhe të BE kanë të drejtë. Të gjithë duhet të bëjnë lëshime për të arritur një marrëveshje. Por pikërisht këtu lind edhe problemi i madh logjik, që më pas kthehet në problem politik. ‘E mesmja e artë’ nuk është zgjidhje në rastin konkret. Palët nuk janë ulur në tavolinë për të ndarë pushtet dhe tani duhet të pretendojmë se të gjithë duhet të dalin të kënaqur. Palët janë ulur aty për të ofruar një Reformë Zgjedhore sa më të mirë, e cila në produkt final do të na ofrojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo nuk është negociatë, ky është kusht.
Këtu nuk ka më histori me ‘të mesme të artë’. Këtu ‘e mesmja e artë’ kthehet në një gabim trashanik. Disa filozofë e quajnë këtë gabim ‘ekuivalenca false’, të tjerë ‘kompromisi fals’, disa thonë se është ‘gabimi logjik i të mesmes’, ‘gabimi logjik i grisë’, ‘balanca false’ etj. Kaq shumë emra ka, për shkak se është problem i madh.
Pra, e thënë ndryshe, duhet gjetur një e mesme mes asaj që kërkon opozita si e dëmtuara e madhe, pasi i kanë vjedhur zgjedhjet, dhe asaj që ofron mazhoranca si e akuzuar për vjedhje zgjedhjesh në nivelet më të larta që ka njohur historia politike shqiptare. D.m.th mes vjedhjes së zgjedhjeve dhe mosvjedhjes së zgjedhjeve duhet gjetur një ‘e mesme e artë’. Zgjedhjet ose janë të lira dhe të ndershme ose nuk janë të tilla. Nuk ka të mesme këtu. Si mund të ketë ‘kompromis’ mes gënjeshtrës dhe të vërtetës, thonë filozofët. 
Dikush mund të thotë se historia është më ndryshe, pasi tani në negociata janë mundësitë e qeverisë dhe kërkesat e opozitës, e cila mund të kërkojë ‘qiqra në hell’. 
Këtu pastaj duhet të na vijë keq për qeverinë. Po çfarë pengese duhet të ketë për një vend që të ofrojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Cili duhet të jetë kufiri, kur dihet se nëse nuk kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, praktikisht kot llapim se jemi në demokraci? Për çfarë duhet ta tolerojmë ne këtë qeveri, nami i së cilës si hajdute zgjedhjesh ka përfunduar në gazetën më të madhe evropiane me një damkë që nuk do hiqet kurrë në histori? Te e fundit, a nuk duhet t’i interesojë edhe kësaj qeverie që të vendoset standardi zgjedhor kaq i nevojshëm për të, kur ajo të dalë në opozitë dhe të kalojë po ashtu të zitë e ullirit?
Kjo historia e të mesmes së artë është njësoj si shumë të tjera në Shqipërinë e Edi Ramës, që kanë për qëllim vendosjen e shenjës së barazimit mes opozitës dhe qeverisë. Por nuk është kështu dhe nuk do jetë asnjëherë. Kjo mund të jetë një betejë e qeverisë për të treguar me gisht nga opozita si dekonstruktive, si pengesë për integrimin apo si ana tjetër e medaljes politike që urrehet nga shqiptarët. Por opozita dhe shqiptarët meritojnë një gjë që e kanë kërkuar me këmbëngulje: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nëse nuk ia jepni dot, të paktën mos u përpiqni që ta bëni fajtore ose bashkëfajtore edhe për këto dështime. Ky do ishte kulmi!