Masakër përpara Shtëpisë së Bardhë/ Amerika vazhdon të digjet

Protestat e dhunshme në SHBA nuk ndalen. Fox News e quan një ‘masakër’ atë që ndodhi mbrëmë përpara Shtëpisë së Bardhë. Një zyrtar i lartë tha se të paktën 50 oficerë të Shërbimit Sekret janë plagosur deri më tani.

Disa nga protestuesit hodhën koktejle molotov. Një burim tha se ekzistonte frika se protestuesit mund të përdorin edhe makina të mbushura me materiale shpërthyese.

Agjentët e anti-drogës janë dërguar në rrugët e Uashingtonit, në një lëvizje të pazakontë. Dritat në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë u fikën, në mënyrë që Shërbimi Sekret të monitoronte më mirë protestuesit.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur u mësua se Shërbimi Sekret e mori presidentin Donald Trump dhe e dërgoi në bunkerin e nëndheshëm të premten, kur u intensifikuan protestat përpara kompleksit. ‘Nuk zgjati shumë, por presidenti shkoi,’ tha një burim për Fox News.

Protestat në SHBA shpërthyen pasi një polic i bardhë i vuri këmbën në fyt një personi me ngjyrë, të quajtur George Floyd. Ai humbi jetën pak më vonë.