SKANDALI i Veliut/ Gentian Zenelaj: Nuk je në vitin 1945, kur mamaja...

Gentian Zenelaj, aktori i mirënjohur humorit, i ka dërguar një mesazh kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut.

Zenelaj, si prind kësaj radhe më shumë se sa figurë publike, i ka bërë thirrje ndërgjegjes së kryepolicit për shkarjen e madhe të Veliut deri tek nëna e të miturit, që e rëndoi dhe e thelloi dhunën policore mbi një fëmijë që shkeli karantinën.

Zenelaj i shkruan Veliut:

"Ardi Veliu, a e dinin policët e tu që ishte fëmijë nga një familje me probleme me ligjin, kur e dhunuan 15 vjeçarin?!

Ardi Veliu, nuk gjykohen fëmijët për gabimet e prindërve!

Ardi, djalin nuk e dhunoi një polic:ishin disa policë...

Ardi, nuk je në vitin 1945, kur nxjerr foto dhe video, ku mamaja e djalit na paska një dajo me Ballin!

Do të kisha krijuar respekt për ju nëse thjesht do të kërkonit ndjesë publike...

Vetëm kaq: të kërkonit ndjesë publike për atë dhunë, të cilën për fatin e keq e pa edhe djali im që ka pak a shumë atë moshë, i cili e ka bërë edhe ai në ato ditë të "luftës" madhështore ndonjë xhiro me biçikletë rreth pallatit, mbase edhe duke e shkelur një 15-minutësh orarin e karantinës, që vendosi Xhandarmëria .

Do të kërkoje edhe te profili im për ndonjë video që ta postoje, nëse do t’i ndodhte kjo djalit tim?!

Po te profili i ndonjë mësuesi filloreje apo një punëtori të thjeshtë, ku do ta gjenit videon?!

Të mjaftonte një ndjesë publike Ardi, vetëm kaq! Nuk është turp të kërkosh ndjesë."