Udhëtoi e infektuar drejt Sarandës, kontaktet e ukrainases dalin negativë

Kontaktet e afërta të shtetases ukrainase të infektuar me koronavirus, e cila qëndroi 5 ditë në Sarandë, kanë rezultuar negativë.

Negativ ka rezultuar po ashtu edhe bashkëshorti i saj shqiptar. ABC News ka raportuar se ukrainasja theu masat dhe karantinën e detyruar prej 14 ditësh, pasi ishte konfirmuar disa ditë më parë me COVID-19 në Tiranë.

Nga një zonë e kuqe si Tirana, ajo ka udhëtuar drejt Sarandës. Burimet bëjnë të ditur se ajo festoi ditëlindje në një lokal dhe dyshimet ishin se ka pasur shumë kontakte.

Ndërkohë hetimi epidemiologjik ka gjurmuar të gjitha kontaktet e saj, dhe kanë dalë negativë.

Saranda nuk ka në listën e ministrisë asnjë të infektuar, pasi ukrainasja është nisur drejt Tiranës pasi u tha bluzave të bardha në Sarandë se është e infektuar.