'Imagjino kur Veliu të marrë edhe përgjimet, banaliteti kaloi çdo cak'

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, duke komentuar skandalin e sotëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, i cili intimidoi nënën e një djali të dhunuar nga policia me një video të paqenë, bën edhe një paralelizëm me kërkesën e Ministrisë së Brendshme për të marrë edhe të drejtën e përgjimeve, duke e cilësuar si një tmerr nëse ndodh.

‘Banaliteti në dikasteret e shtetit shqiptar ka kaluar çdo cak! Imagjinoni të kenë edhe të drejtën e përgjimit! Tmerr!’

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sulmoi të premten në një seancë parlamentare online nënën e një fëmije të dhunuar nga oficerë policie dy javë më parë, duke sugjeruar se fëmija i dhunuar vjen nga një familje me moral të keq dhe e përdori këtë argument për të justifikuar dhunën.

Sulmi verbal i Veliut u konsiderua si kërcënim nga Zaida Çobo, nëna e fëmijës së dhunuar ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm e cilësuan si skandaloze sjelljen e kryepolicit në parlament.