SKANDALI i Veliut/ Analisti: Në Shqipëri ka vdekur ligji dhe turpi

Analisti Agron Gjekmarkaj, në një koment në gazetën Panorama, thotë se skandali i kryepolicit Ardi Veliu tregon se në vend ka vdekur ligji dhe turpi.

“Policia nuk interpreton moralin dhe nuk merret me biografi pos në diktaturë! Ajo nuk vepron kundër vesit në emër të virtytit pos në regjime ajotollahësh! Drejtori i policisë nuk justifikon dhunën e efektivëve të tij ndaj fëmijeve me sjelljet publike të prindërve! Interpretimi i moralit nuk është tagri, por abuzimi i saj!

Gjuha e urrejtjes e Ministrit të Brendshëm po materializohet në dhunë ndaj qytetarëve dhe ndaj protestuesve apo kundershtarëve të qeverisë! Tronditëse ishte rrahja e 15-vjeçarit nga një grup policësh tek kodrat e liqenit pak ditë më parë si prelud i dhunës në ditën kur shembej Teatri Kombëtar! Pat reaguar plot dhimbje e pezëm nëna e adoleshentit ! Nuk u mbështet nga gratë në politike apo në shoqëri, nga shoqatat jo e jo!” shkruan Gjekmarkaj.

“Ardi Veliu na tha sot praktikisht me atë demonstrim që policia rreh ata që i gjykon të këqinj, fëmijët me biografi të keqe me familje të mbrapshta! Nesër të tjerët që trazojnë pushtetin apo mbrojnë votat! Prej shumë muajsh Kryeministri dhe shpura e tij po flasin për ligjin KÇK (kap ça te kapesh) ku tentohet që policia të pergjojë si t’i teket e ke t’i teket me vullnet e përzgjedhje të Ardi Veliut e vartësve të tij! Sot e kemi të gjithë të qartë parimin si vepron Kryepolici dhe policia që udhëheq ai, mënyrën dhe kriteret dhe si përdoret gënjeshtra, ky mjet që justifikon qëllimin për dhunë e terror si funksion politik! Në Shqipëri, pa rënë në moralizim, mund të themi se turpi e ligji kanë vdekur njëkohësisht!

Shikoni ç’po ndodh në Minesota pas vdekjes në polici të një afro amerikani, qyteti është në flakë e trazira, Presidenti Tramp i shkruan leter familjes dhe kërkon falje në emër të shtetit e kombit Amerikan!

Pikërisht ai President që u thirr turpi i civilizimit nga Kryeministri ynë, që me gjasë nuk e njeh as civilizimin as turpin! Në Shqipëri dorëheqja nuk jepet, ajo imponohet! Kur zyrtaret e shtetit sillen si banditë, qytetaret duhet të sillen si të tillë!”