Nga Rama, te Veliaj e Veliu/ Godasin aty ku është pika më e dobët

Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu sulmonte një grua publikisht, vetëm pse është nëna e një djali që ishte dhunuar në mënyrë barbare nga policia pasi doli shëtitje me biçikletë, disa banorë të komunitetit rom kishin dalë të protestonin përpara Bashkisë së Tiranës.

Sigurisht protesta e tyre nuk u dëgjua gjëkundi, por ata po ankoheshin për dhunën shtazore të policisë bashkiake ndaj tyre. Së fundmi, një video e provoi diçka të tillë. Pikërisht ajo polici e kryebashkiakut Erion Veliaj, që kur e nisi rrugën e pushtetit, mori së pari një fëmijë rom në krah dhe e dërgoi në spital me makinën e tij luksoze të ministrisë.

Por tani është koha e dhunës dhe ajo godet si gjithmonë aty ku janë pikat më të dobëta.

Dhe ky pushtet barbar e di shumë mirë se ku janë pikat e dobëta. Pas dhunës mbi adoleshentin, u bë e ditur se pika e dobët ishte nëna e tij, e cila deklaroi se mezi po rriste fëmijët e vetme. Ajo tha se ishte frikësuar aq shumë, sa nuk guxoi të shkonte edhe në spital me fëmijën e saj. Aty, te një nënë e vetmuar është pika e dobët. Aty dihej që do godiste edhe kreu i policisë, një person që do mbahet mend si shofer i Balilit, si kryeshofer i krimit.

Por edhe në krim ka nder dhe hierarki. Ata që dhunojnë fëmijët dhe më të dobëtit janë më të neveritshmit.

Sot u shfaq qartë fytyra e pushtetit të Edi Ramës, i cili që kur e ka nisur, në qendër të dhunës ka pasur ata më të dobëtit, ata që nuk kanë fuqi të paguajnë, që nuk kanë fuqi të punojnë, që nuk kanë fuqi të mbrohen, që nuk kanë fuqi të ngrenë zërin.

Përballë krimit, oligarkëve dhe të fortëve nuk ka fjalë, kurse për të tjerët ekziston shkelmi në fyt. Për atë shkelm po digjet Amerika, kurse te ne të paktën po ‘digjet’ një gjë: rrjetet sociale me fjalë.