OSBE-së dhuron dezinfektantë dhe termometra për policinë kufitare

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në kuadër të masave për COVID-19, ka dhuruar një sasi pajisjesh mbrojtëse personale me shumën 20.000 euro, për Policinë Kufitare. 

Donacioni iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, nga Shefi i zyrës Politike në Prezencën e OSBE-së në Tiranë,  Laurentiu Stinga dhe nga Këshilltarja për Asistencën Policore dhe Manaxhimin e Kufijve, Mira Xhamallati.

Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu e ka vlerësuar këtë ndihmë që është shumë e nevojshme për Policinë Kufitare.

‘Ju falënderoj për këtë donacion, si dhe për mbështetjen dhe asistencën e dhënë në vijimësi nga OSBE-ja, për Policinë e Shtetit dhe kryesisht për Policinë Kufitare. Me hapjen e kufijve Policia Kufitare do përballet me sfida të panjohura më parë sa i takon distancimit fizik dhe kontaktit me qytetarët, ndaj duhet të jetë e përgatitur për të qenë e mirëpajisur’, tha Veliu.

Laurentiu Stinga: ‘Këto ndihma vijnë në momentin e duhur dhe përkojnë me hapjen e kufijve. Kjo është pjesë e asistencës dhe kontributit të vazhdueshëm që prezenca e OSBE-së në Shqipëri ofron për Policinë Kufitare. Duam t’ju sigurojmë gatishmërinë tonë për të ndihmuar Policinë e Shtetit në përmbushjen e detyrave të saj’.

Mjetet mbrojtëse përfshinin termometra me infra të kuqe, maska plastike për fytyrën, doreza, dezinfektant, kostume, alkool dhe do shpërndahen në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në porte dhe në aeroportin ‘Nënë Tereza’.