‘Pas teatrit do rrafshojmë Rrugën e Kombit’- Iriqi bisedon me Luftar Pajon

Iriqi: - Rama tha se ti je shprehur pro shkatërrimit të Teatrit Kombëtar...

Luftari: - I kam thënë kumandarit...

Iriqi: - Kumandarit?!

Luftari: - Ramës dmth. Kështu i thoja unë dhe Enverit, dhe Ramizit, dhe Nanos, dhe Ramës. Se partia jonë është repart ushtarak. Një urdhër duam dhe lehim si qentë. Nuk pushojmë pa urdhër.

Iriqi: - Pra ju mësoi Rama si do flisni?

Luftari: - Dihet. Do prish Teatrin, na tha. Rroftë kumandari, iu përgjigjëm. Tani na ka bërë me dije se do prishë Rrugën e Kombit.

Iriqi: - Hahaha, po pse?

Luftari: - Nuk duron dot që e ka bërë Saliu. Prishe, o kumandar, i thamë. Prish dhe anëtarësimin në NATO, prish dhe vizat. Se ç’na duhen. S’kemi lekë të pushojmë në Seman, jo më në Greqi a Itali.

Iriqi: - Po Basha ka thënë se do e bëjë siç ishte. Ç’do thuash?

Luftari: -Po u bë Basha kryeministër, kumandar do i them dhe atij. Se ka buxhetin në dorë, na duhet.

Iriqi: - Është pak e çuditshme që ti jeton në Fier dhe thua të shkatërrohet Teatri në Tiranë.

Luftari: - S’ka çudi fare. Jetoj në Fier, por ama makinën e kam me targë të Tiranës. E sheh që jam në rregull. Kur merr vendime Veliaj nga Tërpani, pse unë jo. Në vijë ajrore jam më pranë se ai me Tiranën.

Iriqi: - Edhe djali yt u shpreh për prishje.

Luftari: - Hahaha, ai tërë jetën mua më ka kopjuar. Dhe skeçet si unë i luan. Mos prisni mendim ndryshe nga ai. Jemi kalitur sipas kumandarëve. Vrapojmë nga interesi te interesi.

Iriqi: - Ke ndonjë rol së shpejti?

Luftari: - Po pres ndonjë sms nga ndonjë bashki e Shqipërisë. Ua jap firmën me qira për prishje monumentesh kulture ose për shpifje ndaj opozitës. Vetëm ballistët nuk dua t’i shaj.

Iriqi: - Pse?

Luftari: - Se ata më bënë artist. Pa rolet e ballistit sot do isha ndihmës bojaxhi andej nga Mallakastra e egër. Ose do ruaja dhi bashkë me djalin tim portokallist. Se i biem dhe fyellit ne...