Piratët e televizioneve: dy të arrestuar në Korçë

Policia e Korçës kreu një operacion të koduar si “Pirateria 2”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi dy personave: O.Sh, 27 vjeç dhe K.N, 60 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, duke qenë të palicensuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mënyrë pirate, kryenin abonime për paketa të ndryshme televizive kundrejt fitimit.

Vlerat e përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm ata nuk i deklaronin pranë organeve tatimore, duke kryer fshehje të ardhurash.

Gjatë kontrollit të ushtruar në njësinë e shitjes në pronësi të 27-vjeçarit, në lagjen nr. 10, u gjetën aparate që përdoreshin për transmetime pirate televizive dhe një sasi lekësh të cilat dyshohen të jenë siguruar nga kjo veprimtari, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale "Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale", "Shkelja e të drejtave të autorit", "Fshehja e të ardhurave".