VIDEO/ Organizatat e të drejtave të njeriut dënojnë dhunën barbare të policisë bashkiake

 
Pas publikimit të një videoje në Facebook në të cilën policë të Bashkisë Tiranë shfaqen duke dhunuar një rom riciklues mbeturinash, njëmbëdhjetë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kërkuan hetim dhe dënim të dhunuesve.

Njëmbëdhjetë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dënuan në një deklaratë të përbashkët atë që duket se është një dhunim i një shtetasi grumbullues mbeturinash të riciklueshme nga ana e dy personave të policisë bashkiake të Tiranës.

Videoja e publikuar në rrjetin social Facebook paraqet dy policët që dhunojnë qytetarin i cili nuk i përgjigjet me dhunë por përpiqet vetëm t’i shpëtojë nga duart ndërkohë që kalimtarët ndalojnë për t’i qetësuar.

“…jemi njohur nëpërmjet mediave online me dhunën e policëve të bashkisë Tiranë ndaj një anëtari të minoritetit rom, i cili i gjendur në kushte të vështira ekonomike për shkak të dështimit të programeve të punësimit si dhe masave të ndërmarra ndaj Covid-19, ka zgjedhur si zgjidhje për të ushqyer familjen mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme. Por, siç shihet nga video, kjo gjë nuk është pranuar nga punonjësit e policisë bashkiake Tiranë, duke e dhunuar në shkelje të çdo ligji apo rregulli,” shkruhet në deklaratën e organizatave.

“…këto janë sjellje të paligjshme dhe kryhen në mënyrë të përsëritur nga ana e policisë së bashkisë Tiranë.  Shprehemi  të paligjshme, pasi në 2017, institucioni i Avokatit të Popullit nëpërmjet trajtimit të një ankese ka konstatuar se, policia bashkiake Tiranë vepron në tejkalim të kompetencave të saj përsa i përket  masave dhe veprimeve të kryera ndaj ricikluesve si dhe ka rekomanduar mos përsëritjen e veprimeve tilla,” vijon më tej deklarata.

“Lidhur me situatën e ndodhur, kërkojmë nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, të kërkojë falje publike për dhunën e kryer nga ana e punonjësve të tij ndaj anëtarit të minoritetit rom si dhe të marrë masa për pezullimin, hetimin e ngjarjes dhe vendosjen e tyre para drejtësisë,” thonë ata.

Dhuna ndaj ricikluesve dhe ndaj shitësve ambulantë ka qenë e përsëritur dhe mbi baza të paqarta ligjore nga ana e Policisë Bashkiake të Tiranës.

Një zëdhënës i Bashkisë së Tiranës nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për koment mbi këtë video deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN/