Rihapet Bazilika e Varrit të Krishtit në Jeruzalem: mbyllja e parë që nga shekulli XIV

Nuk ka shtegtarë, sepse pandemia i bllokoi nisjet nga vendet si SHBA, Spanja, Italia e Polonia, por besimtarët vendas mundën këtë të dielta kapërcenin  pragun e Bazilikës së Varrit të Shenjtë, në Jeruzalem, mbyllur prej dy muajsh, gjë që nuk ka ndodhur asnjë herë, që nga shekulli XIV.

Vendvarrsoja e Jezusit pas zbritjes nga Kryqi u hap, pra, ndonëse me numër të kufizuar besimtarësh e me përdorimin e detyruar të maskave e kontrollet e vazhdueshme të distancave të sigurisë. Por këto masa nuk e frenuan aspak emocionin e besimtarëve, të prekur deri në lot që, duke u rrjedhur nga sytë, lagnin maskat, si të donin të tregonin se nuk ka sëmundje as maskë, që e ndan besimtarin nga Zoti i vet. Francesco Patton, rojtar i Tokës Shenjte tregoi se liturgjitë brenda Bazilikës, ndonëse me porta të mbyllura, vijuan rregullisht edhe gjatë masave të ndalimit, falë murgjërve dhe fretërve, që banojnë në kompleksin e brendshëm, madje duhet theksuar se vijuan me një devocion gjithnjë në rritje. Deri te hapja - kujton Atë Paton, në intervistën dhënë Radio Vatikanit:

“Është hapje për një numër ende të kufizuar, deri në 50 vetë  e duhet të jetë edhe nën kontroll të vazhdueshëm, me drejtuesit e bashkësive të ndryshme,  që i kontrollojnë besimtarët e tyre. Pra mund ta quajmë “hapje në progres”. Por gjithsesi, është hap shumë i rëndësishëm. Tani edhe Varri Shenjt, pas një heshtjeje tepër të gjatë, hyri në fazën “e konvaleshencës”, domethënë jo të shërimit të plotë”.

“Duhet të presim  deri në fund të verës, për t’i parë rishtas shtegtarët nga disa vende, e fillimin vitit të ardhshëm, nga vendet më të rëndësishme për numër shtegtarësh, sepse janë vendet më të prekura nga sëmundja: në radhë të parë, SHBA, më pas Italia, Spanja e Polonia.

Sa për vendasit, shenjtëroret mbetën të hapura edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë! Nazareti nuk u mbyll asnjë herë, natyrisht me të gjitha përkujdesjet, por deshëm të japim një mesazh, që të tregonte se ‘Kisha nuk i mbyll kurrë portat, se vijon të jetë vend lutjeje!’”.