Detajet/ Si u ekzekutua djali i mjekut në Vlorë

Detaje te reja nga vrasja e 25-vjeçarit Kristian Breshanaj në Vlorë. Ngjarja që ka tronditur gjithë qytetin ndodhi ditën e festës së Fitër Bajramit, disa metra larg banesës së të riut. Në drejtim të tij është qëlluar dhjetë herë.

Sipas burimeve të Policisë, pesë nga plumbat e kanë prekur në pjesë të ndryshme të trupit, çka i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme të riut.

Kristian Breshanaj është djali i një mjeku renimator të njohur në Vlorë, një familje që njihet si mjaft e qetë dhe e respektueshme. Për të zbardhur sa më shumë detaje nga ngjarja, Policia po heton të shkuarën e viktimës në Belgjikë, pasi kishte vetëm 3 muaj që ishte kthyer. Pikërisht, veprimtaria apo puna që mund të ketë kryer në Belgjikë, është pista kryesore ku po heton Policia e Vlorës lidhur me ngjarjen e djeshme. Nga Policia mësohet se 25-vjeçari nuk njihej si person problematik, raporton Panorama.

E vetmja histori lidhet me një ngjarje të vitit 2014, kur ai, në automjet, së bashku me një tjetër të ri, u kapën me një sasi të vogël kanabisi, ndërsa nuk kishin as leje drejtimi. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2014, kur Breshanaj ishte vetëm 20 vjeç. Ajo që Policia po heton është pikërisht lidhja me Belgjikën dhe veprimtaria e tij atje. Ndërkohë, nga blutë e Vlorës janë shoqëruar 12 persona, por jo të dyshuar, kryesisht dëshmitarë apo fqinj të 25-vjeçarit. Shoqërimi i tyre është bërë me qëllim për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes apo nëse kanë vërejtur apo parë diçka të dyshimtë dhe nëse kanë dëgjuar apo jo krismat.

Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bënë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 01:00 të mëngjesit. Ndaj 25-vjeçarit është qëlluar nga një automjet, i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Breshanaj ishte duke shkuar në banesën e tij, ndërsa autorët i kanë bërë pritë pak metra para se të futej në portë. Gjithçka thanë burimet, ka qenë e mirëmenduar. Autorët e kanë kryer “misionin” e tyre në një moment kur lëvizje në zonë thuajse nuk kishte fare.

Pasi kanë qëlluar me breshëri ndaj të riut, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Për të mos lënë gjurmë më tej, ata kanë djegur makinën e krimit vetëm 1 kilometër nga vendi i ngjarjes, në lagjen “10 korriku” të qytetit të Vlorës. Policia e ka gjetur automjetin tip “BMW” me targa greke, të paidentifikueshme dhe të paregjistruar, nën flakë.