Përdhunoi shqiptaren/ ‘Bisha e Kavosit’ bie në humnerë gjatë ndjekjes
Një përdhunues serial, i njohur si ‘Bisha e Kavosit’ në Greqi, theu shpinën pasi ra në një humnerë teksa ndiqej prej policisë në Korfuz.
Sipas Daily Mail, 47-vjeçari Dimitris Aspiotis ra nga një lartësi mbi 30 metra.
Ai është i njohur për median britanike pasi ka sulmuar të paktën shtatë turiste angleze.
Policia në ishullin grek kishte nisur kërkimin për Aspiotis pasi ai kishte përdhunuar një shqiptare. Kjo e fundit pretendon se ai e tërhoqi në një pyll dhe e përdhunoi nën kërcënimin e një thike.
‘Bisha e Kavosit’ ishte dënuar me 52 vite burg, por u lirua në gusht të vitit të shkuar pasi kaloi vetëm 7 vite në qeli.
Lirimi i tij për shkak të një ndryshimi në ligj shkaktoi shumë zemërim te viktimat e tij. Britania reagoi me ashpërsi pasi shtatë qytetare të këtij vendi janë përdhunuar prej tij.
Një nga viktima, një stjuardesë britanike tha: “Dua të di pse e kanë lënë të lirë. Nuk besoj se ai ka ndryshuar. Kur dëgjova se është liruar, u shokova. Shpërtheva në lot”.
Greku ishte dënuar për përdhunimin e gjashtë femrave, por ai mendohet se ka sulmuar seksualisht të paktën 100 femra.