Kaka kujton finalen e vitit 2007 me Liverpoolin: Ishte e tmerrshme kur ata shënuan

Nëse për shumë tifozë të Milanit fitorja e Ligës së Kampioneve në vitin 2007 ishte një hakmarrje kundër Liverpoolit për “Mrekullinë e Stambollit” të vitit 2005, për ish-yllin e “Djallit”, Rikardo Kaka, nuk është diçka e tillë.

Braziliani deklaroi në 13-vjetorin e triumfit të shtatë të Milanit në Ligën e Kampioneve se ka vuajtur jashtëzakonisht shumë psikologjikisht ndaj “Të Kuqve”, për shkak të humbjes së trofeut më të çmuar europian dy vite më parë (2005) në finalen e Stambollit.

Ishte e tmerrshme kur ata shënuan gol, sepse më erdhën menjëherë kujtimet e vitit 2005 në Stamboll. Sapo Dirk Kajt shënoi gol në minutën e 89-të, ti mendon se ‘2005 do të përsëritet sërish’. Ishte një betejë e fortë emocionale. Ishte një betejë e vullnetit dhe ne ndjemë frikë. Fatmirësisht, ia dolëm dhe në fund festuam. Ishte një shenjë e Zotit, nuk ishte rastësi. Brenda vetes mendon se ‘a është kjo e njëjta skuadër që na mundi në finale para dy vitesh?’. Nuk e konsideroj hakmarrje apo shpagim. Ishte diçka e mrekullueshme dhe magjike”, deklaron Kaka, i cili për atë sukses madhor fitoi “Topin e Artë” për vitin 2007.