Përgjimet/ Lleshaj nuk tërhiqet: Policia vepron pa lejen e prokurorit

Përpara shpalljes së pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme me rastin e COVID-19, në Shqipëri pati një debat të madh për disa ndryshime që do të bëheshin në ligjin për Policinë e Shtetit në kuadër të operacionit të ashtuquajtur “KÇK”.

Një nga pikat më të nxehta ishte pikërisht dhënia e fuqisë së policisë, që të përgjojë edhe pa lejen e prokurorisë dhe gjykatës. Ky projektligj është diskutuar këtë javë edhe në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, ku ka pasur debate të ashpra por duket se mazhoranca nuk ka ndërmend që të tërhiqet. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm Sadër Lleshaj.

I pyetur nga gazetarët pas ceremonisë së 1-vjetorit të operacionit me FRONTEX në Kakavijë, nëse përgjimet do të bëhen pa lejen e Prokurorisë, Lleshaj, këmbënguli që Policia është edhe vetë organ ligj-zbatues, shkruan Panorama.

“Ne s’kemi nisur ndonjë plan për survejimin e të gjithë shtetasve shqiptarë në Parlament. Nuk ka një plan të tillë, të survejojmë shtetasit shqiptarë. Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë, e cila synon vetëm t’i krijojë Policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit”, deklaroi ai.

Sipas Lleshajt policia do të ketë të drejtë që në raste të nevojës për parandalim, të mund të ndjekë një person, i cili duhet ndjekur, në kushtet e parandalimit, konform përcaktimeve të qarta ligjore. “Policia është një organ ligjzbatues i këtij shteti, e cila ka detyrë ekskluzive parandalimin e krimit. Dhe në funksion të këtij parandalimi, Policia do të ketë edhe këto instrumente në dorë”, shtoi ministri i Brendshëm

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014, ‘Për policinë e shtetit'”, të ndryshuar në Komisionin e Sigurisë, prodhoi në Kuvend debat mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe disa deputetëve të maxhorancës.

Pati deputetë që ngritën shqetësime në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe një rrezik për tejkalim kompetencash për Policinë. Gjatë mbledhjes së zhvilluar, më kritikët ishin deputetët Qefalia dhe Xhina, kur me këtë të fundit nuk mungoi edhe një përplasje në distancë, pasi ministri nuk i priti dhe aq mirë vërejtjet që deputetja e dalë nga listat e PDIU bëri për projektligjin.

“Çështja e dytë e këtij projektligji ka të bëjë me krijimin e disa instrumenteve në funksion të Policisë për kryerjen e hetimeve policore. Janë disa ndryshime të vogla dhe konsistojnë në përgjimin ambiental të bisedave personave në ambiente publike dhe në mjete të transportit publik. Ligji i jep mundësinë për të bërë përgjimin Policisë për të përdorur në funksion të këtij përgjimi ambiental për fotografimin ose kapjen me video të personave. Për përgjimet telefonike mbetet i pandryshuar dhe ai ligj nuk preket”, tha Lleshaj në Komisionin e Sigurisë.

Ndryshimet e propozuara për përgjimet

1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:

a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;

b) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

c) përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;

ç) mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

2. Përdorimi i masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç” të pikës 1 të këtij neni, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të Policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore.

3. Afati i përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, nuk mund t’i kalojë 3 (tre) muaj. Kur këto masa përdoren për kryerjen e veprimtarisë informative-gjurmuese ose gjatë procedimit policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar apo të krimeve të rënda, me kërkesë të drejtuesit të strukturës policore përkatëse, afati i përdorimit mund të zgjatet vetëm 1 (një) herë me 3 (tre) muaj të tjerë.

4. Rregullat dhe procedurat që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a” e “b” të pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.