Pochettino: E dua Premier League, por jam i hapur të dëgjoj oferta nga vende të tjera!

Ish-trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino foli për  mikrofonat e “Sky Sports”  dhe mes temave të diskutuara ishte dhe ajo në lidhje me të ardhmen e tij.

Pochettino deklaroi se dëshiron të qëndrojë në Premier League, por gjithashtu është shprehur i hapur edhe për oferta nga vende të tjera.

“Ideja ime është të vazhdoj të jetoj në Londër. E dua Premier League, por në të njëjtën kohë jam i hapur të dëgjoj oferta nga vende të tjera. Unë dhe stafi im jemi rritur së bashku dhe mund t’i ofrojmë shumë klubit tonë të ri.

A mund të marrë drejtimin e një klubi që nuk është në gjashtë të parat? Kur erdha te Tottenham, ata nuk ishin në gjashtë vendet e para. Arsenali përshembull tani për tani nuk është në gjashtëshen e parë. Kështu, duhet pritur dhe patur respekt për të gjithë klubet sepse të gjitha punojnë dhe nuk duhen nënvlerësuar”, u shpreh Pochettino.