Analisti i përgjigjet Yuri Kim: Reforma në Drejtësi ka vdekur me kohë

Analisti Andi Bushati komenton në portalin Lapsi.al, situatën e krijuar në vend pas një komenti të ambasadores amerikane, Yuri Kim, se po tentohet të ‘vritet reforma në drejtësi’.

Në koment, Bushati thotë se reforma në drejtësi ka vdekur me kohë.

“Pra me pak fjalë, të gjithë po kërkojnë atentatorin kur kufoma tashmë është shtrirë në arkivol. Sepse Reforma në Drejtësi ka vdekur me kohë. Alarmi i Yuri Kim se dikush po komploton për ta vrarë atë kishte dhe një pjesë të dytë që pak kush e lexoi. Ajo e konsideronte si të dhimbshme, të ngadaltë dhe jo perfekte, shumë larg nga fabula e historisë së suksesit me të cilën na kanë rokanisur kokën deri tani,” shkruan Bushati.

“Por situata është shumë më keq sesa kaq.

Bashkimi Europian ka ndaluar aplikimin e saj në vende të tjera, sepse më në fund, zyrtarët që kanë dhënë viston për të hedhur miliona duke vënë në lojë edhe karierën, e kanë kuptuar tashmë kolapsin që përgatitën me duart e tyre. Ata ia ndaluan pa hezitim Maqedonisë së Veriut për të vënë në jetë një skemë të ngjashme.

E njëjta gjë, pas entuziazmit fillestar, po perceptohet edhe nga publiku shqiptar. Sondazhi i fundit i Institutit Shqiptar për Demokraci në bashkëpunim me PNUD nxori në maj të këtij viti shifrat tronditëse se vetëm 32% e shqiptarëve besonin se reforma ishte zbatuar si duhet. Kjo shifër kishte një rënie të konsiderueshme në vite dhe ishte ku e ku më ulët edhe se një sondazh i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit vetëm 37 përqind e shqiptarëve besonin se vetingu do ta pastronte realisht drejtësinë.

Në fakt, të gjithë e dinë se në një sistem gjysëm diktatorial është krejtësisht e pamundur të ndërtosh një drejtësi të vërtetë. Me liderë të fortë dhe të gjithëpushtetshëm mbi kokë, mundësia e operimit të institucioneve të pavarura është pothuajse zero”.