Deklarata e Metës/ Rama: Të mblidhemi në një tryezë me karta të hapura

Pas deklaratave të presidentit Ilir Meta se ka paraqitur një platformë me 14 pika, për situatën politike, ka reaguar dhe Edi Rama.

Ky i fundit thotë që të lemë apelet dhe të ulen në një tryezë urgjente me karta të hapura.

Reagimi i Edi Ramës:

Presidenti t'i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t'i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore!

Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s'kanë kohë të luajnë ‘e ka kush e ka’ dezhurnin.

Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s'ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura.

Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t'i vëmë pikat mbi ‘i’ të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la.