Rama sulmon sërish televizionet/ Ja sa është gjoba e re për shkeljen e rregullave

Këshilli i Ministrave ka bërë disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ të datës 15 mars të këtij viti në kuadër të masave të veçanta anti COVID-19.

Pas lejimit të më shumë se 1 personi në studiot televizive, qeveria sërish mund të gjobisë televizionet apo dhe ti mbyllë në rast se ky i fundit nuk respekton distancën prej 2 metrash mes të ftuarve.

“Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.”, thuhet në ndryshimet e sotme te aktit normativ te dates 15 mars.

Gjithashtu po në këtë akt, qeveria ka vendosur të gjobisë me 50 mijë lekë çdo subjekti, i cili nuk aplikon për pagën e luftës për çdo punonjës i cili ka të drejtën e përfitimit të kësaj ndihme financiare.

“Subjektet e gjobituara mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative”, thuhet në aktin normativ të firmosur sot nga kryeministri Edi Rama.