Fernando Alonso mund të bëjë rikthimin e bujshëm në Formula 1

Fernando Alonso mund të jetë rikthimi i bujshëm në Formula 1 për Botërorin e ardhshëm.

Lajmin e bëri të ditur menaxheri i tij, Flavio Briatore, i cili theksoi se piloti spanjoll, dy herë kampion bote, mund të rikthehet tek ish-skuadra e tij, Renault, për vitin e ardhshëm.

Alonso, që u largua nga bota e Formula 1 në 2018-ën, pas katër sezoneve me skuadrën e Mclaren, gjatë dy viteve të fundit ka qenë i impenjuar me garat e Indy dhe Rally Dakar ku gjithashtu ka arritur jo pak suksese.

Rikthimi i tij në Formula 1, e mbi të gjitha te skuadra franceze, mund të jetë një reklamë e jashtëzakonshme për këtë sport e mbi të gjitha për makinën e Renault për të thithur më tepër të ardhura dhe në aspektin e marketingut.

39-vjeçari, që ka fituar dy tituj botëror në vitet 2005 dhe 2006 duket se po mendon seriozisht rikthimin në njëvendëshet e Formula 1 dhe një lëvizje konkrete mund të bëhet në ditët në vazhdim nga ana e palëve.