VIDEO/ Pistoletën në kokë djalit të bosit të naftës: Kush është fieraku i arrestuar sot në Tiranë

Policia njoftoi sot se ka arrestuar Anxhelino Çervanakun, i cili ishte shpallur në kërkim që në korrik të vitit 2014 pasi tentoi të vriste një person gjatë një sherri mes tyre në fshatin Frakull.

Por, krahas tentativës për vrasjen e një personi në vitin 2014 në Fier, Çervanaku është një emër i njohur për policinë duke dalë sërish në pah një vit më vonë.

Plagosja

Pas një sherri, Anxhelino Çervanaku ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të B.M në fshatin Frakull të Fierit, por fatmirësisht objektivi shpëtoi.

“Nga Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Policisë së Qarkut Tiranë, u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, Anxhelino Çervanaku, 22 vjeç,banues në fshatin Frakull e Madhe, Fier. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ ndaj këtij shtetasi për veprat penale ‘Vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë”, thuhej në njoftimin e policisë.

Kërcënimi

Asokohe, policia raportoi se Anxhelino Çervanaku bashkë me shokun e tij Devis Rustemaj kërcënuan me armë zjarri djalin e një biznesmeni të njohur karburantesh në Tiranë për shkak të një borxhi, shkruan abcnews.al.

Djali i biznesmenit deklaroi në atë kohë në polici, se ai ndodhej i vetëm në momentin që dy personat e lartpërmendur i kanë prerë rrugën, dhe duke i vënë pistoletën në kokë i kanë kërkuar atij shumën prej 1 mijë eurosh që ai u kishte marrë borxh pak kohë më parë.

Atentati

Disa kohë pasi kërcënuan djalin e biznesmenit, shokut të Ccervanakut, Devis Rustemajt i bënë një atentat në rrugën “Xhanfize Keko”, por policia nuk bëri dot një lidhje mes dy ngjarjeve duke hetuar edhe për një pistë tjetër, atë të konflikteve të çastit mes palëve.

Ccervanaku ka qenë mjaft aktiv në rrjetin social Facebook edhe pse ishte shpallur në kërkim prej gjashtë vitesh në 2014.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Tiranë

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, një person i shpallur në kërkim, i dënuar për veprat penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin Anxhelino Çervanaku, 27 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pasi në korrik të vitit 2014, ka plagosur me armë zjarri për motive të dobëta, shtetasin B. M.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore Policisë Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprat penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Veprimet e mëtejshme për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.