Mjaft me histerizma, shihni teatrin te Pallati i Kongreseve

Nëse opozita nuk emancipon programin politik për vetëadministrimin e institucioneve kulturore, artistike, mediatike publike, (teatri, opera, ansambli, radiotelevizioni, muzetë, institucionet shkencore, universitetet, INSTAT, etj.) duke parashikuar depolitizimin e plotë të tyre, pra duke bërë edhe autokritikën e vet të thellë, -edhe rezistenca për teatrin tashmë të shembur, do të shkojë për lesh sikurse shkoi!

Politika do të emancipohet kur të heqi dorë nga kontrolli politik i institucioneve dhe agjencive të krijimit shkencor, kulturor dhe artistik!

Përndryshe ta harrojë se universitarët, studentët, krijuesit, artistët do t'a mbështesin!

Madje do të shkojë për lesh edhe inteligjencia krijuese artistike duke mbushur radhët e të papunëve, të pijetoreve, ose të emigrantëve.

Ca duhet të lënë patetizmat uluritëse, autizmin, vetëlegjitimimin, u duket se janë mesi dhe vetëm ata janë heronjtë, duke e lënë rehat procesin e emancipimit politik, ose të kontribuojnë si ushtarë modestë për të!

Teatri u shemb. Krimi u bë. Rezistenca fatkeqësisht dështoi. Tani luftra dhe beteja emancipuese ka nevojë të ndërmerren.

Mjaft me kundrasense, edhe do e mbrojmë trup më trup e gjak më gjak teatrin, edhe pse na ushtruan dhunë! Pse na rrahët reeeeee?

Dhunë sepse jemi pa të drejta qytetare, se nuk kemi shtet ligjor, sepse nuk kemi legjitimitet si qytetarë pa status juridike. Pa këto do të na rrahin e do të na shkepin madje! Do të na kërdisin!

Çfarë ekspertësh doni! Pse pak ekspertë shërbëtorë ka? Çfarë gjykate kushtetuese doni? Gjykata kushtetuese është me shumicë nga partia në pushtet! Çfarë kërkoni nga populli, të bëhet guerrilas profesionist??? Lëreni mo qytetarin rehat. Ai reziston mijëra herë më mirë sesa ne në format e tij, por ne na duket se rezistenca jemi ne, sikurse i duket atij të Madhit se shteti është Ai! Çfarë simetrie e çmendur! Vajte ti te minatorët, po te studentët, po te naftëtarët, po te pedagogët, po te astiriasit - veçse për të larë gojën -, çfarë legjitimiteti kemi më shumë ne sesa ata që nënshkruan peticionin e qelbur të shkatërrimit të teatrit - dhe tani thonë se nuk e kemi nënshkruar - (shërbëtorë të ndyrë të selinizuar).
Mjaft me rezistencat trup më trup rrugëve që mbarojnë si shashka!

Shihni teatrin te Pallati i Kongreseve për të kuptuar se themelet e kulturës dhe artit të çliruar nga politika nuk mund të ngrihen nëse populli nuk ka të drejtë të zgjedhë përfaqësuesit e vet!

Mjaft me ulurima histerike që na fshehin thelbin ku po humbim gjithçka, po humbim veten.