Maska në restorant? Klientët do duken si ‘Pac-Man’

Shpikësit izraelitë kanë zhvilluar një maskë koronavirusi me një ‘gojë telekomandë’ që lejon klientin të hajë ushqim pa e hequr atë, një pajisje për të cilën ata thonë se mund të ulë rrezikun gjatë një vizite në një restorant.

Shtrypja e një leve, ashtu si një çiklist kap frenat e dorës, hap një çarë në pjesën e përparme të maskës, në mënyrë që ushqimi të kalojë, raporton Reuters.

Procesi mund të hasi probleme me akulloret ose salcat, por kafshatat më të ngurta mund të gëlltiten si në lojën e famshme në ‘videogame’ Pac-Man.

"Maska do të hapet mekanikisht me dorë ose automatikisht kur piruni do i afrohet maskës," tha Asaf Gitelis, nënkryetar i Patentave dhe Shpikjeve të Avtipus, të hënën ndërsa demonstroi pajisjen në zyrat e saj në Tel Aviv.

"Atëherë mund të hani, shijoni, pini dhe pasi të nxirrni pirunin, ai do të mbyllet dhe do të mbroheni kundër virusit dhe njerëzve të tjerë që ulen me ju."

Kompania tha se planifikon të fillojë prodhimin e maskës brenda disa muajsh dhe kishte dorëzuar tashmë një patentë.