Nëna e djaloshit të rrahur nga Policia: Rama s'më ktheu përgjigje këtë radhë, ndryshe nga 2 javë më parë

Zaida Çobo, nëna e djaloshit 15-vjeçar që u rrah egërsisht nga Policia në Tiranë pse kishte shkelur orarin e ndalim-qarkullimit, ka deklaruar sot në studion e SYRI TV se ende nuk ka marrë një përgjigje, nuk ka parë një reagim nga Kryeministri Edi Rama.

Znj. Çobo, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” nga autorja e emisionit, gazetarja Dori Daka dhe moderatori Flavio Qarri,  shprehu më shumë se trishtim, habinë e saj ndaj kësaj sjelljeje indiferente të Ramës, pasi jo më larg se rreth dy javë më parë, i njejti kishte gjetur kohën “ta bindte” se të kërkoje punë në shtet, të ta siguronte shteti, kjo ndodhte vetëm në komunizëm.

Çobo tregoi se i dërgoi një mesazh Ramës lidhur me dhunën që u shtrua ndaj të birit, bërë publike me video - dhe ende nuk ka asnjë përgjgije nga Rama.

Por, kjo ndodh në një kohë, kur pasi i kishte shkruar Ramës për t’i gjetur një punë në shtet, Rama kishte gjetur kohë, minuta të tëra të fliste me të për t'i thënë se ishte kërkesë e kotë. Dhe pavarësisht se ai e refuzoi kërkesën e saj, ajo e kishte falenderuar që kishte gjetur kohën t’i përgjigjej. Ndërsa për rastin në fjalë….asgjë, vetëm heshtje.

Znj. Çobo tha se djali i saj për momentin po ndihmohej nga një psikologe e vënë nga shteti, se ishte telefonuar nga Shoqata për të Drejtat e Fëmijëve dhe se po sot kishte takim me Avokatin e Popullit. “Unë çështjen e djalit do ta ndjek deir në Strasburg, sepse këtu ndjehem e cenuar…” theksoi e vendosur  Zaida Çobo.