Xavi këshillon Barcelonën: Mos i merrni këta dy lojtarë

Ish-futbollisti legjendar i Barcelonës, Xavi Hernandez, i cili aktualisht është trajner i skuadrës nga Katari, Al Grharrafa, u ka dhënë disa këshilla merkatoje drejtuesve të klubit “blaugrana”, duke “skarcuar" dy prej objektivave të kësaj vere.

Bëhet fjalë për emra si Pierre Emenick Aubameyang dhe Sadio Mane, konkretisht sulmues të Arsenalit dhe Liverpoolit, që ndiqen me mjaft interes nga drejtuesit katalanas, por që për Xavin nuk janë aspak të përshtatshëm për lojën e Barcelonës.

“Mane dhe Aubameyang janë dy sulmues të jashtëzakonshëm, që kanë aftësi 'të të vrasin' kur kanë hapësira, por nuk janë të përshtatshëm për lojën e Barcelonës. Mënyra e lojës me qarkullim të dendur të topit dhe kontroll të tij për një kohë të gjatë, kërkon futbollistë që dinë të luajnë në zona të ngushta, cilësi që Mane dhe Aubameyang nuk i kanë”, deklaroi Xavi.

Ish-kapiteni u përfol se do të merrte drejtimin e Barcelonës gjatë muajit janar kur u shkarkuar Valverde, por atëherë Xavi refuzoi, ndërsa tani pret një shans të dytë për t’u ulur në pankinën e klubit të tij të zemrës, ndaj sugjeron edhe një emër për blerje gjatë merkatos së kësaj vere.

“Do të doja që të rikthenin Neymar, një njeri që e njeh mjaft mirë ambientin, spektakolar në lojën me top dhe mbi të gjitha me një sens mjaft pozitiv. Jam i bindur që rikthimi i tij do të ishte një sukses për Barcelonën”, tha spanjolli.