Shembja e Teatrit/ Pse lodhja nga zemërimi na nxit të fajësojmë opozitën

Mëngjesin e së dielës, shqiptarët zbuluan plotësisht se përse Edi Rama nuk është i shqetësuar as për shëndetin dhe as për mirëqenien e tyre. Pamjet e godinës së Teatrit Kombëtar teksa shembej në errësirën e orëve të para të ditës do të kujtohen gjatë në histori dhe do jenë ilustrim i këtyre kohërave të errëta që po kalojmë, jo për shkak të koronavirusit, por për shkak të shembjes së demokracisë, sundimit të ligjit dhe ekonomisë në vend.

Ato pamje kanë trembur edhe vetë kryeministrin Edi Rama dhe kopjen e tij të shëmtuar në bashki, dhe kjo duket qartë. Dikush mund t’i mbajë me gajret se kanë bërë një gjë të mirë, por është e qartë se Edi Rama ka firmosur fundin e tij politik me atë vendim, kurse Erion Veliaj e ka siluruar mundësinë për të bërë karrierë më tej. Pa llogaritur këtu krimet e konsumuara, që do ua ‘rezervonin’ një vend në qeli.

Rrjetet sociale shpërthyen me zemërim, në një ‘shitstorm’ që nuk është parë ndoshta që prej prezantimit të mediave online në Shqipëri. Por ndërsa shihje atë shpërthim të zemërimit online, e kuptoje se sa të rënda janë ndonjëherë efektet anësore të mediave sociale.

Fillimisht duhet thënë se mediat sociale amplifikojnë shpërthimet morale. Të gjithë algoritmet janë të projektuar për të shpërndarë gjithmonë e më shumë atë që preferojnë njerëzit për momentin, dhe statuset me zemërim moral janë në krye të listës. Studimet tregojnë se nëse bëni një postim të tillë, ai ka më shumë gjasë që të qarkullojë më shumë.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Por ky kthehet në problem për shkak të një fenomeni, që njihet edhe si lodhja nga zemërimi. Me fjalë të tjera, truri ynë mban një ngarkesë të caktuar zemërimi dhe më pas lodhet. Meqë këtë zemërim e shkarkojmë aty ku është më e lehtë, pra përpara ekranit të celularit, televizorit apo kompjuterit, ‘puna’ shkon dëm. Zemërimin nuk e shkarkojmë aty ku duhet ta kishim shkarkuar sot, te sheshi përpara Teatrit Kombëtar, ku ishin mbledhur një grumbull shumë i vogël njerëzish  po të llogarisësh popullsinë e Tiranës dhe sigurisht shumë, shumë më i vogël se të gjithë ata të zemëruarit online.

Dhe meqë zemërimi online është si flaka, që merr përpara gjithçka që i del, pati prej atyre që shënjestruan më shumë opozitën shqiptare, duke menduar se edhe ajo është fajtore për situatën e rëndë. Qeveria nga ana tjetër ‘fërkoi’ duart dhe u përpoq me sa të mundej të përhapte këto zëra.

Që të kuptohemi, nuk ka asgjë të keqe që njerëzit të mendojnë se opozita ka fajet e saj. Sikundër duket pak qesharake që opozita, e kompleksuar nga kjo situatë, të përdorë një retorikë groteske.

Por duhet sqaruar se nga na buron dëshira për të akuzuar opozitën në këtë situatë. Janë të paktën dy manipulime logjike (fallacies) që na shtyjnë drejt kësaj.
E para, opozitën e shohim si anën tjetër të medaljes të qeverisjes. Por disa shkojnë më larg kur mendojnë se opozita është një qeveri tjetër. Fakt është se ajo nuk ka asgjë në dorë, aq më tepër kjo opozitë që ka hequr dorë nga të gjitha pushtetet. Maksimumi i saj është fjala e lirë dhe protestat. Të dyja i ka bërë mirë. Po sikur të ankoheshim për qeverinë apo për institucionet që nuk po funksionojnë, sidomos ato të drejtësisë?

E dyta lidhet me një tendencë, sidomos në shoqëri dhe vende si i yni, për të fajësuar viktimën. Meqë pushtetit nuk kemi çfarë i bëjmë, tani duhet fajësuar edhe viktima. Dhe nuk e besoni se sa e përhapur është kultura e fajësimit të viktimës, që nga marrëdhëniet prindër-fëmijë e deri te vrasjet mafioze. Sa herë e keni gjetur veten duke thënë pas vrasjes së dikujt, se ai e ka bërë diçka dhe e meritonte? A është opozita viktimë, mund të jetë një pyetje? Sigurisht, opozitat janë viktimë e dhunës së pushtetit, mos t’ju gënjejë mendja ndryshe. Dikush humbet punën nga kjo dhunë, dikush përfundon në burg, të tjerë goditen moralisht dhe mendërisht, etj.

*
Studiuesja Antonia Malchik thotë se perceptimi ynë ndryshon rrënjësisht kur bëhemi pjesë e protestave agresive, ndryshe nga ajo që shohim në media. “Ndjen një afirmim politik,” thotë ajo. Sepse me afirmim politik zgjidhen këto situata. Vetëm zemërimi nuk mjafton.