Chiellini: Kur takohesh me Sarrin kundërmon era duhan

Cigarja është emblema e trajnerit të Juventusit, Maurizio Sarri, që përkundër moshës 61-vjeçare dhe një pneumonie që kaloi verën e kaluar, vijon të konsumojë rreth 80 të tilla në një ditë, ndërsa këtë ritual e ndjek edhe në anë të fushës, kur drejton skuadrat e tij.

Te Chelsea kishin planifikuar t’i ndërtonin një dhomë zhveshjeje të veçantë për të tymosur, ndërsa cigaret e Sarrit janë shndërruar në një problem edhe për futbollistët e Juventusit, detaj ky i zbuluar nga Giorgio Chiellini në librin e tij autobiografik.

Mbrojtësi legjendar i Juventusit ka shkruar se Sarri tymos aq shumë, saqë lojtarët e klubit bardhezi shkojnë direkt në dush, sa herë që dalin nga dhoma e tij pranë zyrave të skuadrës torineze.

“Në një takim me Sarrin në zyrën e tij mund të shkosh vetëm para dushit, i veshur me rroga të stërvitjes, sepse me rroba të tjera do të kundërmoje erë. E vetmja gjë që askush nuk ka qenë i aftë t’ia heqë, është lidhja e tij me cigaren”, ka shkruar në librin e tij Chiellini.