Strategjia e Ramës/ Zhurmim ndërkombëtar ‘Teatrit’ me vendimin për komunitetin homoseksual

E gjithë historia e izolimit të shqiptarëve prej koronavirusit doli lakuriq përpara syve të qytetarëve kur të dielën mësuan në mëngjes se Teatri Kombëtar ishte shembur gjatë natës, në errësirë, si në çdo vend diktatorial.

Qeveria përdori koronavirusin si strategji për të shtypur protestat dhe izoluar njerëzit që të vinin në Tiranë të dielën.

Por në planin ndërkombëtar dukej se po vihej në lojë një tjetër strategji.

Dihej që mediat e shumta në Europë do të raportonin për atë që po ndodhte në Tiranë. Pamjet e një shteti tipik diktatorial, të korruptuar dhe kriminal, duhet të zhurmoheshin ndërkombëtarisht.

Dhe koha ishte e duhura. 17 maji është Dita kundër Homofobisë. Parada e komunitetit gej mund të mos mbahej, por mediat e huaja po raportonin masivisht se Shqipëria u bë ndër të paktat vende në Europë që ndaloi të ashtuquajturën ‘terapia e konvertimit’. Kjo terapi përdoret nga psikologët që të tentojnë të ndryshojnë orientimin seksual të personave LGBT. Vetëm dy vende e kanë marrë këtë vendim në Europë: Malta dhe Gjermania.

E kështu, në ditën kur shkatërroheshin vlerat dhe tradita, për Shqipërinë në median ndërkombëtare duhej të flitej për komunitetin LGBT.

Megjithatë, sërish ishin të shumta mediat ndërkombëtare që raportuan për skandalin që po konsumohej në Tiranë. Pamjet e shembjes së Teatrit dhe dhunës barbare mbi protestuesit kanë bërë xhiron e botës.