Prishja e Teatrit/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ekzekutimi i vendimit në kohë pandemie, jo i duhuri

Vijojnë reagimet e organizatave të ndryshme pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Së fundmi është Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që shprehet se marrja e këtij akti në një kohë pandemie është një akt i nxituar.

Reagimi i KSHH:

“Nuk është në misionin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) për tu shprehur nëse duhej shembur ose jo Teatri Kombëtar. Organet gjyqësore kompetente do të jenë ato që do të vlerësojnë bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit dhe akteve administrative për shembjen e tij, ndërkohë aspekti i kushtetutshmërisë se legjislacionit lidhur me këtë çështje do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

KShH respekton legjitimitetin dhe autoritetin e këtyre organeve, edhe pse ato nuk patën mundësi të shpreheshin në kohë, për shkak të ekzekutimit me urgjencë të shembjes së kësaj godine. KShH vlerëson se, nuk ishte momenti i përshtatshëm për ekzekutimin e këtij vendimi, duke marrë parasysh faktin se për shkak pandemisë globale Covid 19, në vendin tonë është vendosur gjendja e fatkeqsisë natyrore.

Kjo gjendje dikton nevojën që autoritetet të përqendrohen në zbatimin e akteve normative dhe parandalimin e virusit Covid 19. Gjithashtu kemi parasysh faktin se kjo gjendje, ka krijuar vështirësi të shumta sociale-ekonomike për biznesin dhe veçanërisht për grupet në nevojë të shoqërisë që përballen me varfërinë dhe papunësinë. KShH bën thirrje që të shmanget tensionimi i situatës si dhe çdo akt dhune.”