Pësoi dëmtim në kokë, Gjasula rrezikon ndeshjen e ardhshme

Klaus Gjasula përpara se futbolli të ndalej prej pandemisë, po kalonte një formë shumë të mirë me skuadrën e Paderborn në Bundesligën gjermane.

Edhe në ndeshjen e djeshme kundër Fortuna Dusseldorf, mesfushori deri në minutën qe ishte në fushë dhuroi një paraqitje relativisht të mirë, përveç një kartoni të verdhë të marrë pa një shkak që mund ta justifikonte në mënyrën e duhur.

Gjithsesi, rinisja e Bundesligës iu prish në fillimin e pjesës së dytë, kur ai pësoi një goditje të fuqishme me top në fytyrë, që i shkaktoi gjakosje dhe mjekët e panë të arsyeshme që mesfushori i kombëtares sonë të dalë nga fusha e lojës në minutën e 46. Mbetet të shihet sa serioz është ky dëmtim, teksa duhet të kujtojmë se Gjasula luan me maskë për shkak të një dëmtimi të marrë në faqe më parë.

Duke shpresuar që dëmtimi të mos jetë përsëri në vendin e mëparshëm, duhet të themi se kartoni i marrë mbrëmë nga ishte i 13-ti gjatë këtij sezoni nga ana e mesfushorit. Gjasula është një lojtar agresiv në duelet për topin e parë dhe kjo cilësi i ka sjellë edhe dënime kaq të shpeshta me kartonë. Pas rikuperimit nga dëmtimi, 30-vjeçarit do i duhet të jetë më i disiplinuar në fushë, për të pasur mundësinë të luajë më shumë për të qenë në gjendje të ndihmojë ekipin e tij.