Spanja shënon rënie të numrit të viktimave të Covid-19

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Spanjë nga koronavirusi kanë vdekur 87 persona, 15 më pak se një ditë më parë. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 27,650.

Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 652 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 231,350 persona, shkruan “The Guardian”.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të shtunën se qeveria e tij do të kërkojë që gjendja emergjente të zgjatet për herë të fundit deri në fund të qershorit. Megjithatë, me këtë plan nuk janë të kënaqur shumë qytetarë, që dolën në rrugë për të protestuar.

“Rruga që ne do ta marrim është e vetmja e mundshme”, tha kryeministri Sanchez gjatë një konference për gazetarë, duke shtuar se do të kërkojë nga kuvendi që gjendja emergjente të shtyhet edhe për një muaj deri në fund të qershorit, kur shumica e vendit pritet të kthehet në gjendje normale.

Spanja e shpalli gjendjen emergjente për herë të parë më 14 mars, ndërsa prej asaj kohe afati i saj është zgjatur disa herë nga dy javë. Ndonëse zyrtarët thonë se pandemia është mbajtur nën kontroll, ata besojnë se kufizimet duhet të qëndrojnë në fuqi edhe pak më gjatë gjatë fazës së lehtësimit të masave.