Çfarë na bashkon ne Shqiptarët? Asgjë?!

‘Rreth flamurit te përbashkuar me një dëshirë e një qëllim’ po rezulton se është pallavra më e madhe e shkruar e kënduar ndonjëherë, është hipokrizi e pastër. Asgjë nuk na bën bashkë ne shqiptarët! Ne gjithnjë e kemi vrarë njëri tjetrin, poshtëruar, vjedhur njëri tjetrin. Ky vend dukshëm përjeton një mallkim. Një skuthllik. Një ekzistencë skuthe, me paramendim, e ngritur mbi dy shtylla.

Shtylla e parë: Ne e dimë fare mirë se çfarë është e drejta, por me qëllim zgjedhim më të lehtën, më të rehatshmen. Ne duam që jetën ta ndjekim nga divani i shtëpisë, dhe ajo të na vijë e të na ulet në prehër, e lehtë, e parfumosur.

Shtylla e dytë: Ne e dimë fare mirë se çfarë është e ndershmja por me qëllim zgjedhim privilegjin. Mos kujtoni se bëhet fjalë për ndonjë privilegj të madh - me privilegj kuptojmë që kur jemi dy veta dhe do hamë dru, drurin ta hajë tjetri i pari.

Nuk ka mëkate më të mëdha se këto. Sidomos kur i merr me qumështin e nënës. Ky është stadi i zhvillimit kulturor të shoqërisë shqiptare. Të gjithë ata më të guximshmit, ata që e kuptuan se mundësia e jetës në këtë vend është eliminuar krejtësisht nga oferta e më të lehtës dhe privilegjit - dhe kjo ofertë është një çapë bukë rehat dhe të hash dru i fundit, janë larguar ose po largohen nga Shqipëria.

Karteli politik i këtyre 30 vjetëve ka bërë gjithçka për ta mbajtur të paprekur këtë apati individuale prej skllavi. Karteli politik ka sponsorizuar fuqishëm kulturën e më të lehtës dhe privilegjit. E bën kur është në opozitë dhe kur vjen në qeveri. Kur është në opozitë premton se do të zgjidhë gjithë hallet që ke dhe nxjerr dallkaukët në rresht të parë; kur është në qeveri u grabit paratë njerëzve dhe ja jep shokëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë.

Prandaj, Shqiptarët e mbetur në Shqipëri, edhe ata nuk besojnë tek ata që kanë vulën e partive politike, dhe prandaj nuk gjejnë asnjë motiv të ndershëm e të sinqertë që të mos zgjedhin të lehtën dhe mos kërkojnë privilegjin.

Kjo perpetuon mallkimin. Skuthllikun e ekzistencës sonë. Dhe na paralizon veprimin. Prandaj, shqiptarët nuk derdhen shesheve, siç bëjnë fqinjët tanë jo shqiptarë. Gjithnjë presim nga të tjerë, mundësisht nga jashtë, nga fuqitë e mëdha. Ndërkohë, çdo gjë që mund të na bënte bashkë, si një identitet i përbashkët - si Teatri Kombëtar - po na zhduket në xhepat e kartelit politik me shpejtësi.

Apropo për fuqitë e mëdha. Është e qartë që punët tona duhet t'i zgjidhim vetë, por heshtja e tyre është shurdhuese, njësoj si atëherë kur Rilindjes Socialiste, jo vetëm nuk i hyri gjemb në këmbë pse e mbolli vendin me drogë, por e pritën në Shtëpinë e Bardhë, dhe i hapën dyert e Brukselit... Nuk e di pse me heshtjen e tyre ata vazhdojnë të inkurajojnë qeverinë dhe jo shqiptarët. Në fakt Shqipëria e sotme ndryshon me Shqipërinë e kohës së Enverit vetëm pse atëherë nuk kishte as Ambasadë të BE dhe as të SHBA. Shoku Enver në emër të progresit prishte kisha e xhamia, shoku Edi në emër të progresit shemb shtëpi private dhe Teatrin Kombëtar.

Sa herë vijnë në diskutim fuqitë e mëdha, më kujtohet një frazë nga Ushtari i mirë Shvejk - ne kujtuam se komisioni do na ndihmonte, por komisioni na ndihmoi nje mut! Kjo për të ripërsëritur vetëdijen se punët e mija nuk ka pse të m'i zgjidhin ambasadat.