Kërkohet nga Barcelona dhe Bayern Munich, Ajax i vendos çmimin talentit 19 vjeçar

Ajaxi njihet si një nga klubet që ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë talent.Sezonin e kaluar nga ajo skuadër dolën disa lojtarë, që do të japin një kontribut jo të vogël në futbollin e kësaj dekade, që sapo kemi nisur. Po ata vazhdojnë e nuk ndalen. Megjithëse ky sezon nuk ishte në nivelin e të vjetshmit, Ajaks përsëri ka arritur të nxjerrë lojtarë të spikatur dhe një prej tyre është Sergino Dest

Djaloshi me pasaportë amerikane ka arritur të zërë shumë shpesh vend në formacionin e Erik Ten Hag këtë sezon dhe Barcelona e Bajern Mynih janë gati të derdhin miliona për 19-vjeçarin.

Te Ajaksi aktivizohet si mbrojtës i djathtë, por mund t’i mbulojë shumë mirë të dy krahët. Pikë të fortë ka themelin e Barçës, pasimin. Kaq mjafton që Abidal të nisë bisedimet me Ajaksin për talentin.

Klubet kanë marrëdhënie shumë të mira dhe kujtojmë se vitin e shkuar kanë nënshkruar një marrëveshje se katalanasit do të jenë të favorizuar për të blerë talentet e Ajaksit. Ndërkohë, Bajerni është një kundërshtar serioz për katalanasit dhe dëshira e lojtarit është e vetmja rrugë që i çon gjermanët te talenti. Nga ana tjetër Barcelona ka pak alternativa në krahun e djathtë, me Semedon, që pritet të largohet dhe të lirojë shumë minuta për talentin.

Sipas asaj që raporton "Diario Sport", klubi holandez i ka vendosur dhe çmimin talentit të saj. Media spanjolle bën me dije se Ajax kërkon plot 20 milionë euro për shërbimet e Dest.