Budina: I bëj thirrje Presidentit, të mbajë fjalën, të shpërndajë parlamentin

Regjisori Edmond Budina në një deklaratë për mediat, ka thënë se artistët janë marrë zvarrë dhe janë dhunuar nga efektivët e policisë. Budina tha se është tentuar që të vriten artistët, pasi shembja e godinës ka qenë teksa qytetarët ishin brenda.

Budina i bëri thirrje presidentit që të shpërndajë sa më parë Kuvendin, pasi ajo nuk ka më asnjë kuptim.

“Neritan Liçaj ishte brenda, Juli Emiri ishte atje, dhe 10 artiste te tjere, ata kanë goditur për të vrarë njerëz, e kuptoni se në çfarë gjendje jemi. Zoti Soreca na kishit dhënë fjalën që do të reagonit, turp i madh, ambasadorja amerikane që bëri një show me shokun Edi, unë i akuzoj të gjithë që këtu kemi një bashkëpunim për të vrarë njerëz. Prandaj them që ky është shtet kriminal, i bëj thirrje presidentit, që është momenti të shpërndahet ai parlament ilegjitim”, u shpreh Budina.

I pyetur nga ana e gazetarëve nëse ndihej i tradhëtuar nga dikush, Budina tha se ajo ka filluar që në momentin që artistët ishin në shesh. Ndaj artistëve është përdorur dhunë, dhe efektivët janë futur në ambientet e Teatrit me armë të rënda.