Beteja për Teatrin/ Viktor Zhusti: E pafalshme të humbasim dhe njëri-tjetrin!

Nga Viktor Zhusti

Përgjigjet flakë për flakë... grupimet “ne”, “ata të Aleancës” dhe “ata të Turbinës”... etiketimet “të shitur” për njeri-tjetrin... postimi i video intervistave “ja ç’ka thënë dje filan ikonë dhe ja ç’bën sot”... janë kompromentuese, të sforcuara, të shtira dhe artificiale!

Nuk ndihmojnë askënd, as vet çështjen!

Në këtë situatë, më shumë se kurrë, e nevojshme dhe e domosdoshme është qetësia dhe mirëkuptimi. Vetëm dialogu mund të sjellë zgjidhje të arsyeshme. Gjithçka tjetër, deklarata, peticione, intervista, kërcënime nga çdo palë që të vijnë, janë benzinë e hedhur në një zjarr që vetëm shkatërron.

Sikur palët politike, të çdo drejtimi, të tërhiqen dhe presin, jam i bindur që vet artistët do të dalin nga istikami, do të hedhin armët që kanë drejtuar kundër njëri-tjetrit, do të shtrijnë e shtrëngojnë dorën, pasi kanë intelektin, qytetarinë dhe e njohin gjuhën e nevojshme të mirëkuptimit midis tyre.

Le të fillojmë nga dy momente që janë emërues i përbashkët: të dyja palët, e kanë lidhur jetën dhe të ardhmen me artin dhe po të dyja janë të mendimit që Teatri Kombëtar meriton ngrehinë dhe kushte bashkëkohore. Gjendja e krijuar, adresimet dhe fjalori, nuk kanë lidhje as me fisnikërinë e Teatrit dhe as me qytetarinë e artistëve.

S’ka pse të shpërfytyrohemi! Në “shfaqje” të tilla, audicioni është tepër i vogël dhe i përkohshëm e pas tyre, gjithkush do të mbetet me një shije të hidhur.

Kemi humbur shumë kohë, është e pafalshme të humbasim dhe njëri-tjetrin.

Ky mesazh është shprehje e trishtimit, kur shoh qorrsokakun ku kemi hyrë apo na kanë futur, neve që punën çdo herë e nisim kolektivisht rreth një tavoline, ku nis të hedhë hapat e para shfaqja teatrale.

Le të nisim pra edhe për këtë aksion të ri, nga “puna në tavolinë”.