Kosovë, Albin Kurti njofton Fazën II të hapjes, bizneset që nisin punë më 18 maj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nga dita e hënë, 18 maj 2020, Kosova do të hyjë në Fazën 2 të lirimit të masave.

Sipas Kurtit, "kjo do të thotë hapje më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve.

Do të rihapen këto biznese:

1. Floktarët dhe sallonet e ondulimit
2. Stomatologët dhe fizioterapeutët
3. Tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër
4. Gastronomia (merre-me-vete, take away)
5. Transporti hekurudhor
6. Transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta)
7. Qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe
8. Hapja e galerive dhe muzeve.

Do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.

Dy javët e fundit janë shumë të mira sa i përket luftimit të pandemisë COVID-19, por jo edhe katër ditët e fundit: sonte janë 10 të infektuar e vetëm një i shëruar, dje kanë qenë 18 të infektuar e 19 të shëruar, pardje 8 të infektuar e asnjë i shëruar, kurse para tri ditëve 24 të infektuar e 14 të shëruar.

Prandaj, çdo lëvizje është e arsyeshme vetëm nëse është e domosdoshme. Me kujdes të shtuar të vazhdojmë të mbajmë distancën, të vendosim maska fytyrës e të ruajmë pastërtinë.

Përndryshe, duhet t’i rikthejmë masat rigoroze sepse do të na rikthehet vala e pandemisë së virusit Corona. Por, bashkë, ama vetëm bashkë, do të fitojmë."