Lehtësimet/ Italia heq kufizimet e udhëtimit nga 3 qershori

Qeveria italiane ka nënshkruar një dekret që do të lejojë udhëtimet për në vend dhe nga ky vend duke nisur nga 3 qershori. Kjo është një tjetër lëvizje në kuadër të lehtësimeve në vend.

Sipas BBC, do të lejohen edhe udhëtimet mes rajoneve, diçka e kufizuar në mënyrë strikte deri më tani.

Lëvizja është një hap i madh në përpjekjet e vendit për të rihapur ekonominë pas më shumë se dy muajsh izolim.

Deri tani mbi 31 mijë njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi, megjithatë shkalla e infeksionit ka rënë ndjeshëm.

Lehtësimet në Itali nisën nga data 4 maj. Kurse të gjitha kufizimet e udhëtimit do hiqen nga 3 qershori.

Më herët gjatë kësaj jave, qeveria miratoi një paketë ndihme prej 55 miliardë eurosh për të zbutur efektet e krizës.