Maqedoni e Veriut, falet namazi i parë në xhami pas dy muajsh kufizime

Dje në Maqeoninë e Veriut u fal namazi i parë i xhumasë me hapjen e xhamive pas një ndërprerjeje gati dymujore si pasojë e pandemisë së koronavirusit, raporton Anadolu Agency.

Namazi i xhumasë u fal duke u zbatuar rregulla të caktuara, pas rihapjes së objekteve të adhurimit për besimtarët me një vendim të Bashkësisë Islame Fetare të Maqedonisë së Veriut nga 12 maji.

Siç mund të shihej, besimtarët që vërshuan drejt xhamive për faljen e namazit të xhumasë zbatuan rregullat si përdorimi i maskave, dezinfektimi i duarve, ruajtja e distancës fizike, sjellja e sixhadeve personale dhe marrja e avdesit në shtëpi.

Me vendim të Bashkësisë Islame, hutbeja e xhumasë nuk zgjati më shumë se dhjetë minuta. Ndryshe, namazi me xhemat në vend është ndaluarnga 17 marsi si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në Maqedoninë e Veriut, ku ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, zbatohet ndalesë e lëvizjes së qytetarëve çdo ditë nga ora 19:00 deri në ora 05:00, që nënkupton se namazi me xhemat nëpër xhami lejohet vetëm në vaktin e drekës dhe atë të ikindisë, si dhe për namazin e xhumasë.