Ibrahimi: 12 maji, titulli i Partizanit? Kjo është data më e bukur për të gjithë njerëzit e klubit 'të kuq'!

Pas 6 viteve plot sakrifica te Partizani, Labinot Ibrahimi u shpërblye në sezonin e tij të fundit me të kuqtë, duke fituar titullin kampion ndërsa më pas u largua për te Prishtina ku në këtë sezon synon të fitojë një tjetër titull kampion. Ibrahimi ka një peng përsa i përket largimit nga Partizani dhe këtë e theksoi në intervistën e tij për Fan Zone, ndërkohë që nënvizoi se në datën 18 qershor do të vendoset në Kosovë nëse do të rinisë apo jo IPKO Superliga.

“Te Partizani kalova 6 vite shumë të bukura, familja e kuqe është e veçantë, por tani jam ambientuar edhe te Prishtina”.

“12 maji, titulli i Partizanit? Kjo është data më e bukur për të gjithë njerëzit te Partizani. Të shpallesh kampion pas 26 viteve është shumë e bukur. Për mua ajo do jetë data më e bukur e jetës sime. Të them drejtën ndjej keqardhje që e shikoj Partizanin në këtë gjendje”.

“Ofertë nga rivalët e Partizanit? Për momentin jam i fokusuar te Prishtina. Në jemi profesionistë dhe futbollit nuk i dihet. Nëse i plotësojnë kushtet, pse jo?!”

“Largimi nga Partizani? Pengu i vetëm ishte që të luaja atë ndeshjen e Superkupës, por u vendos shpejt e shpejt dhe nuk mund të bëja diçka tjetër pastaj”.

“Rikthim te Partizani? Do respektoj kontratën me Prishtinën, më pas do flas me drejtuesit e Prishtinës, nëse më jepet mundësia te rikthehem tek të kuqtë do pranoja. Kjo është në dorën e drejtuesve nuk është në dorën time”.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe jemi stërvitur në distancë. Unë gjithmonë kam luftuar për titull. Prishtina lufton për dy frontet. Prishtina është gjithmonë gati dhe pritet rinisja e kampionatit.”, u shpreh Ibrahimi.