Serie A/ Do rishikohet protokolli për rinisjen e kampionatit. Rregullat që mund të ndryshohen

Takimi mes Federatës së Futbollit të Italisë, Lega Serie A, dhe ekipit mjekësor ka përfunduar dhe në të janë rishikuar tre pika të protokollit për rinisjen e kampionatit këtë sezon.

“Sky Sport Italia” raporton se masat e vetëizolimit në rast se identifikohet dikush i infektuar me Koronavirus, largimi dhe përgjegjësitë e stafit mjekësor kanë qenë tri pikat e diskutimit.

Të enjten shpërtheu kaosi lidhur me protokollin e propozuar për rinisjen e kampionatit më 13 qershor, teksa seancat stërvitore në grup do të lejoheshin që nga e hëna.

Shumë nga klubet nuk janë të gatshme ta nisin procesin e nevojshëm për fillimit e stërvitjeve ekipore dhe për këtë arsye ato kanë kërkuar për një zgjidhje tjetër, duke i theksuar tri ndryshime para rinisjes së kampionatit.

Kërkesat e bëra nga klubet e Serisë A ishin që të mos futet i gjithë grupi në karantinë nëse identifikohet një i infektuar, të mos izolohen së bashku gjatë gjithë kohës lojtarët dhe të mos ketë obligime ligjore për mjekët.

Protokolli i cili ishte vendosur nga Komiteti Teknik dhe Shkencor i qeverisë italiane tani do të rishikohet dhe do të qartësohet gjatë orëve të ardhshme, përmes një deklarate që do të lëshohet për media.