Një sheleg e një vajzë të re, për çdo shtëpi!

Pas shumë kohësh qetësie të imponuar nga situata e COVID-19, kryeministri Edi Rama, për herë të parë mbrëmë provoi presionin dhe paralajmërimin ekstrem të opozitës nëpërmjet deklaratave të forta të Lulzim Bashës.

Arroganca dhe sidomos pabesia që po shfaq duke u vetë-mbuluar me gjendjen e jashtëzakonshme me rastin e koronavirusit, për të realizuar më në fund pas 20 vitesh planin e grabitjes së tokës publike më të çmuar në Tiranë, duket se ka qenë pika e fundit në gotën e mbushur plotë.

Basha e shpalli Teatrin Kombëtarë si `vijë të kuqe` e madje `të zjarrit`, ku do të digjet Rama e Veliaj nëse do të vazhdojnë në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, që të zbatojnë prishjen e tij. Të shohim e të presim sepse nuk është hera e parë, edhe pse duket se kemi të bëjmë me testin e fundit të një klepto-sunduesi tashmë të ekspozuar në dritë të diellit si i tillë!

Por pikërisht për këtë paralajmërim dhe kushtrim të kreut të opozitës, kryeministri u pyet mbrëmë që në fillim të lidhjes që kreu gazetari Blendi Fevziu, në emisionin e tij ‘Opinion’. Ashtu siç pritej pas këtij lajmi, Edi Rama, luajti rolin e vetvetes; atë të skuthit. I zverdhur dhe duke belbëzuar vuri si mburojë, situatën e emergjencës së koronavirusit.

‘Vija e zjarrit është në spital dhe lufta është për të mbrojtur shëndetin dhe do të thotë një thirrje e tillë për të marrë në qafë njerëz dhe për të bërë gjeste patetike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë proces ligjor apo demokratik’, ngriti alibinë mashtruese Edi Rama në përgjigje të vendosmërisë së qytetarëve që mbrojnë Teatrin, dhe ndaj opozitës e cila e ka marrë prishjen e tij si një provokim ekstrem që nuk ka lidhje thjesht me një godinë.

Gjithashtu nëpërmjet një retorike të përçartur kontradiktore si ajo e një grabitësi të kapur me mallin e vjedhur në dorë, Rama, u përpoq që ti mbush mendjen shikuesve, se historia e ekzistencës a jo të Teatrit Kombëtar siç është tani e gati 100 vite, ka 20 vite që vazhdon dhe ai gjithmonë ka qenë partizan i prishjes së tij.

 Ndaj-tha-nuk ka ndonjë zhvillim këtu!

Por brenda 30 sekondave harroi se pak më herët kishte deklaruar, se tani kemi përparësi vetëm ‘vijën e zjarrit’ nëpër spitale në luftë me virusin dhe jetën e shqiptarëve.

Pas kësaj edhe gazetari më naiv, do ta pyeste kryeministrin:

Po dakord; meqenëse aktualisht ‘vija e zjarrit’ është nëpër spitale për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve nga COVID-19, atëherë çfarë është gjithë ky nxitim me vendime qeverie për t`ja kaluar bashkisë së Tiranës në pronësi Teatrin dhe kjo e fundit në mënyrë klandestine të ecë përpara brenda 24 orëve, me procedurën e shembjes?!

Përse ky provokim në këtë kohë emergjence shëndetësore dhe gjendje të jashtëzakonshme ku shteti policor bën ligjin, për një çështje të nxehtë e cila ka 2 vite e gjysmë e cila zien dhe tashmë është ndërkombëtarizuar?!

Nëse ka pritur këto7-8 vite dhe nuk ja ka mbajtur as gjatë 3 viteve të fundit me të gjitha pushtetet në dorë, përse është trimëruar tani që ka blinduar veten me ligje e akte normative të cilat nuk lejojnë grumbullimet e qytetarëve, qoftë edhe për të mbrojtur kauza kaq sensitive si kjo e Teatrit Kombëtarë?!

Përse nuk bën një referendum të thjeshtë; Po/Jo?!

Zëra të rëndësishëm nga opozita thonë se Edi Rama ka marrë paradhënie apo 20% në patundësi, për atë tokë të çmuar në qendër të kryeqytetit ku janë planifikuar që përveç një teatri të ri të ngrihen edhe disa kulla. Monika Kryemadhi e paralajmëroi mbrëmë që do të bënte mirë që të kthente mbrapsht pjesën që ka marrë nga klane që pastrojnë paratë e trafikut të drogës dhe të mos vazhdojë që të provokojë, sepse sikur edhe një pikë gjaku të derdhet në atë shesh, kundërpërgjigjja do të jetë kokë më kokë me vetë Ramën dhe Veliajn. Ndoshta e mbajnë fjalën këtë herë!

Fakt është se gjatë këtyre dy mandateve, qeverisja e Ramës, ka bërë grabitje edhe më të mëdha se kjo që po ndodh me Teatrin Kombëtarë, por ky rast ka tejkaluar thjesht vlerën materiale dhe anti-ligjshmërinë e bërë normë prej tij.

Mënyra se si po e bën, shkel në mënyrë brutale jo vetëm dinjitetin e çdo shqiptari por edhe logjikën më normale. Nëse Edi Rama e kalon me sukses edhe këtë test që po ju bën shqiptarëve; nëse lejohet nga qytetarët dhe opozita që të tregojë se është zot jo vetëm i vendit por edhe i shpirtrave të tyre, nuk kemi për të humbur vetëm një trashëgimi kulturore dhe një truall publik, por vetë zemrekun e dinjitetit sadopak të mbetur te çdo individ.

E dimë se i ka përçarë mbrojtësit e Teatrit, duke shfrytëzuar maninë e protagonismit të disave. E dimë që po luan me kartën e dalë boje të ‘lojës për pushtet’ që bën opozita. Dimë se kujt artisti i ka dhënë benefite personale e të tjera familjare, për ti rreshtuar si ‘ një shumicë’ që kërkon një teatër të ri mbi gërmadhat e këtij prej ‘tallashi’. Dimë se u tërhoq ‘Fusha’, por ka një ligj me këtë emër i cili ende është në fuqi.

Mbi të gjitha kuptohet se çështja nuk është më thjesht korruptive, klienteliste, urbanistike, e trashëgimisë apo jo, por një testim deri në asht të shpirtit të çdo njeriu që mendon se i ka mbetur sadopak liri dhe dinjitet në këtë vend ku skllavëria mendore dhe ekonomike e shumicës është bërë normalitet.

 Nëse Teatri Kombëtar shembet; edhe sikur në vend të tij të ndërtohet një tjetër prej ari, Edi Rama, do të mbyllte me sukses eksperimentin e fundit. Pas kësaj shqiptarët do bënin mirë që të mos ankoheshin më nëpër FB, por të ulin kokën dhe të presin me valixhe në dorë hapjen e kufijve, për një eksod përfundimtar. Ose ta shpallin bunkerin e Surelit, ‘Vend i shenjtë’, dhe të bëjnë pelegrinazhe drejt Dajtit duke puthur nëpër rrugë gjurmët e gomave të mercedesit të zi, ku hipën e nga zbret Edi Rama plot fodullëk.

Kurse opozita le të qëndrojë në pritje prapa gëmushës, deri sa ai të velet me pushtet e pasuri, apo deri kur ta rrëzojnë ndërkombëtarët ‘e mërzitur’ me të, kushedi përse.

Ndërkombëtarët të cilët i përdor si mburojë sa herë kapet me presh në dorë (Pse nuk flet SHBA, pse nuk foli BE?!), por mbrëmë te Fevziu me rastin e Teatrit tha se Shqipërinë nuk e qeveris as Europa Nostra, as Europa Vostra e as Amerika!

Rama mund ta shembë teatrin duke ju treguar se është ai që ka në dorë ‘shumicën’; pra ajrin, diellin, shiun, punën, liridaljen dhe shpirtin tuaj. Por pas kësaj mos u habisni, nëse ju mbërrin edhe një ferman nga Surreli si ata të Bajlozëve qëmoti;

 Dorëzoni një sheleg dhe një vajzë të re, për çdo shtëpi!