Bayerni në negociata me Interin për Perisic, huazim edhe për 1 vit ose ulje çmimi

Drejtuesit e Bayernit të Mynihut kanë pritur dje në një takim menaxherët e sulmuesit kroat Ivan Perisic, të cilëve u kanë komunikuar se klubi bavarez nuk ka ndërmend të ushtrojë të drejtën e blerjes së tij për shifrën e 20 milionë eurove, siç ishte e parashikuar më herët në marrëveshjen me Interin.

Perisic iu bashkua gjigantëve gjermanë verën e kaluar në një marrëveshje huazimi me të drejtë blerjeje për shifrën e 20 milionë eurove, por duket se gjermanët, përtej vlerësimit që kanë për kroatin, e shohin si shumë të lartë këtë shumë.

Megjithatë, siç raportojnë mediat pranë klubit bavarez, është lënë i hapur opsioni i vijimit të bashkëpunimit, nëse Interi do të pranojë një tjetër huazim 1-vjeçar, ose do të ulë pretendimet në shifrën e 10-12 milionë eurove.

Tani topi kalon në fushën e zikaltërve, që do të duhet të vendosin nëse do të rikthejnë sërish në bazë kroatin, aty ku do të vuante për të gjetur vend në skemat e Contes, apo do të pranojnë uljen e çmimit për ta shitur përfundimisht.

Vlen të theksohet se kroati peshon vetëm 6 milionë euro në bilancin e klubit, ndaj opsioni ku mund të përfitonin të dy palët do të ishte një tjetër huazim 1-vjeçar, me detyrim blerjeje verën e ardhshme për shifrën e 10 milionë eurove.

Gjithsesi vera është e gjatë dhe drejtuesit e të dy klubeve do të kenë mundësi të gjejnë zgjidhjen më të mirë, që do të kënaqte që të tre palët e përfshira në marrëveshje.