Presidenti i UEFA-s: Rreth 80% e kampionateve do të mbyllen rregullisht

Plani i UEFA-s për të çuar deri në fund të gjithë kampionatet nëpër Europë ka nisur të funksionojë dhe presidenti i qeverisë europiane të futbollit, Alexander Ceferin, në një intervistë të dhënë për “beIN Sport” është shprehur mjaft optimist.

“Ne bëmë një plan për të çuar deri në fund të gjithë ligat europiane dhe deri tani jam i kënaqur me mënyrën se si po procedohet. Mund të them se rreth 80 % e kampionateve do të arrijnë të mbyllen rregullisht, ndërsa pjesa tjetër e kanë vetë përgjegjësinë”, tha kreu i UEFA-s.

Kampionate si ai holandez e francez kanë vendosur ndërprerjen përfundimtare të sezonit, ndërsa kreu i UEFA-s ka pranuar se nuk mund të bëjë asgjë kur bëhet fjalë për vendimet qeveritare, por ka shtuar se klubet e këtyre vendeve do t’i nënshtrohen raundit kualifikues për të luajtur në kompeticionet europiane.

“Kur ka një vendim qeverie, ne nuk mund të bëjmë asgjë, por mendoj se kemi të bëjmë me vendime të nxituara, pasi situata mund të përmirësohet nga momenti në moment. Gjithsesi është pak e vështirë të mendosh që klube si PSG dhe Lyon do të luajnë ndeshjet e Championsit në gusht, por nuk do të luajnë në kampionat. Nuk e di si do përshtaten pas shumë muajsh pa luajtur. Ne jemi të interesuar që kampionatet të përfundojnë dhe t’i referohemi renditjes finale për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ndërsa në kampionatet ku sezoni është ndërprerë, klubet do t’i nënshtrohet një raundi kualifikues”, u shpreh Ceferin.