VIDEO/ Calori tregon pas 20 vitesh golin që i hoqi titullin Juventusit dhe shpalli Lazion kampione

Tashmë është në krye të Ternanës, por teksa përpiqet të arrijë objektiva si trajner, Alessandro Calori kujton 14 majin e 20 viteve më parë, kur me golin e tij i mohoi Juventusit një titull thuajse të sigurt.

“Atmosfera në Perugia-Juventus ishte plot tension, sepse bardhezinjtë ishin të detyruar të fitonin dhe moti nuk ishte i duhuri për futboll. Fusha ishte një pellg”, tha autori i golit të vetëm të atij takimi mjaft të diskutueshëm.

Gjyqtari Collina vendosi që do të luanit?

Me sa duket e pa të arsyeshme. Gjatë gjithë kohës fliste në telefon, me krerët e tij ma merr mendja. Ne fituam sepse luanim pa asnjë presion duke qenë se e kishim siguruar qëndrimin në Serinë A. Juvja aktivizoi Inzagin, Kovaçeviçin e Del Pieron, të cilët gabuan raste që zakonisht i shënonin, por edhe portieri ynë bëri disa mrekulli.

Si e kujtoni golin tuaj?

U mundova të stopoj topin dhe e godita para se të prekte tokën. Terreni i rrëshqitshëm e bëri të pamundur për Van Der Sarin që ta ndalonte. Sot ka ende lacialë që më kërkojnë foto.

Duket sikur ju vjen keq për atë gol? Jeni ende juventin?

Simpatizoj Juven, por jam profesionist. Më vjen keq sepse njerëzit më kujtojnë vetëm për atë gol, ndërkohë që isha kapiten i Udinezes në kualifikimin e parë të klubit në Europë, por kam luajtur te Bresha e Baxhos e Guardiolës.

Mendoni se ju ka dëmtuar ai gol për karrierën tuaj pas asaj dite?

E kam menduar edhe unë diçka të tillë, por nuk kam një përgjigje. Nëse ai gol frenon në ndonjë mënyrë karrierën time, atëherë mund të them që do të ndieja shumë trishtim.