Procedimi ndaj Lulzim Bashës, kush janë personat e tjerë të gjobitur nga Policia

Policia e Durrësit ka njoftuar në mbrëmje se ka ndëshkuar me gjobë dhe heqje patente 11 shtetas, midis tyre edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha, për shkelje të Aktit Normativ të vendosur nga qeveria së fundmi për Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore.

Këto ndëshkime janë vendosur pas një takimi që kreu i PD-së ka pasur sot në Durrës me biznesin, në një ambient lokali.

Të ndëshkuar nga policia janë Ardian Hoxha pronari ku u zhvillua aktiviteti; kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, Kreu I Partisë Demokratike Ferndinand Xhaferri si edhe shtetasit Ardian Muka; Ramadan Gugashi si edhe Adil Beqiri

Njoftimi i Policisë Durrës

Policia e Durrësit ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbylluar të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, "Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19". Ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ.

Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H.

Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, L.B, F. Xh., A.  M.,  R. G.,  A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në zonat e kuqe që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe  të distancimit social  dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojnë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore.