'Emri i madh i babait më ka shoqëruar gjithmonë', flet Ledio Pano: Gega më kërkoi te Partizani, por...

Ledio Panon,djalin e legjendës, Panajot Pano, duket se e ka përndjekur gjithmonë emri i të atit. Ish-futbollist i Partizanit në një lidhje direkte me Fan Zone zbuloi se sezonin e kaluar mori një ofertë nga Skënder Gega për të qenë ndihmës i tij te Partizani.

 

KARANTINA- “Kam qenë një periudhë shumë e vështirë kjo për mua, pasi në jemi tipa që jemi mësuar të lëvizim gjithmonë. Megjithatë unë mendoj se më e keqja ka kaluar dhe shpresojmë që gjithçka t’i rikthehet normalitetit tani”.

TITULLI I VJETSHËM- “Është e vështirë të flasësh për sezonin e Partizanit, pasi duam gjithmonë ta shohim në vendet e para. Pak ditë më parë ne kujtuam atë titull të fituar një vit më parë dhe i uroj shumë suksese Skënder Gegës në karrierë. Shpresoja shumë që të dilnim kampionë përsëri këtë vit pasi mundësitë ishin, por ndryshimet e shumta mendoj se ndikuan shumë”.

GABIMET E SË SHKUARËS- “Në 2001 bëra ndeshjen pas një periudhe gati 10-vjeçare në Greqi. Emocionet ishin të mëdha, pasi luaja me ekipin që u rrita. Por gabimet e presidentit Xhani bënë që Partizani të mos merrte asnjë trofe. Nuk ishte faji në fushë që nuk fituam tituj, por faji ishte nga mënyra si menaxhohej klubi nga drejtuesit”.

OFERTA- “Vjet kisha një ofertë nga Gega për tu afruar te Partizani, por nuk pranova për shkak të frikës nga emocionet e shumta që do kisha. Mua më pëlqen më shumë të merrem me të rinjtë, por të shohim, ndoshta në të ardhmen mund të drejtoj ekipin e parë”.

DJALI I PANAJOTIT- “Kam pasur një peshë shumë të madhe mbi shpatulla, pasi emri i madh i babait më ka shoqëruar gjithmonë. Unë jam shumë i kënaqur me ato që kam treguar në fushë. Të gjithë nga mua prisnin të shikonin një Panajot Pano të dytë, por ai është i paarritshëm.