Gjyqtari i Real-Atletico tregon gabimin që bëri në finalen e Championsit: Goli i Ramos duhej anuluar

Në vitin 2016, Milano priti finalen e Ligës së Kampionëve mes Real Madrid dhe Atletico Madrid.

Ishte një finale dramatike, e cila u nda nga pika e bardhë e penalltisë, ku “Los Blancos” u treguan më të zotët duke ngritur lart trofeun.

Ndërkohë, për të rrëfyer një gabim në atë kohë është kthyer gjyqtari kryesor i sfidës, Mark Klatenburg.

Ai rrëfen se në momentin kur Reali shënoi golin e parë me anë të Sergio Ramos, anësori gaboi, pasi duhej anuluar goli për një pozicion jashtë loje.

Klatenburg shprehet se këtë e kuptoi në pushimin e ndeshjes, megjithatë nuk kishte më kthim pas.

Ndërkaq, Klatenburg tregon edhe një episod të veçantë, teksa në momentin që akordoi penallti për Atleticon, mbrojtësi Pepe iu afrua dhe i tha se nuk ishte 11-metërsh, por ai iu kthye se as goli i Realit nuk ishte.

Në këtë formë, portugezi nuk kishte çfarë të bënte, por vetëm ta qepte.

“Në atë ndeshje, Reali kaloi në avantazh në pjesën e parë me një gol për fare pak në pozicion jashtë loje. Këtë e kuptuam në pushimin e pjesës së parë. Por, ishte një aksion i vështirë dhe asistenti im gaboi. Nga ky gabim ia dola të menaxhoja Pepen në pjesën e dytë, në momentin kur ai shkaktoi penallti.

Pepe m’u afrua dhe më tha se nuk mund të ishte një 11-metërsh. Iu ktheva dhe i thashë se goli juaj i parë nuk duhej të ishte akorduar, kështu ai ndaloi, heshti. Njerëzit mendojnë se kjo është e çuditshme dhe të gabosh dy herë nuk mund të jetë një sukses. Edhe arbitrat kështu mendojnë, por për futbollistët është ndryshe. E dija që nëse ia thoja atë atij, atëherë ai do ta pranonte. Nuk është qejf të arbitrosh Pepen, duhet ta kontrollosh të gjithë kohën”, u shpreh Klatenburg.