Me Imamin e Madh dhe Papën, KMSH i bashkohet lutjes së përbotshme për zhdukjen e koronavirusit

"Veçanërisht bashkojmë zërin dhe zemrën me Shkëlqesinë së Tij, Imamin e Madh, Dr. Ahmed al-Tajib dhe Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun, duke iu lutur Zotit të na largojë dhe mbrojë besimtarët dhe gjithë njerëzimin nga kjo pandemi."

Kështu thuhet në një deklaratë të lëshuar sot, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili ka marrë vendim për t'iu bashkuar lutjes së përbotshme të 14 majit të të gjitha komuniteteve fetare për zhdukjen e koronavirusit.

Në deklaratë thuhet:

Me emrin e Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Deklaratë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Këshilli i Lartë për Dokumentin e Vëllazërimit Njerëzor, i cili u nënshkrua ndërmjet Shkëlqesisë së Tij, Imamit të Madh të Ez’herit në Egjipt, Dr. Ahmed al-Tajib, dhe Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, në shkurt të vitit 2019, fton komunitetet fetare për t’iu drejtuar Zotit të Lartmadhëruar me lutje dhe përgjërim, me një zë dhe me një zemër, që të largojë fatkeqësinë dhe epideminë që na ka rënë, nga i gjithë njerëzimi në të katër anët e globit.

Duke iu përgjigjur kësaj ftese, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, bazuar në thënien e Fuqiplotit: “Dhe nuk ka asgjë që nuk i thur lavde Atij” dhe në thënien tjetër të tij: “Dhe Zoti juaj tha: Lutmuni që t’ju përgjigjem”, është i nderuar t’i bashkohet të gjithë vëllezërve dhe motrave për t’ju përgjëruar Krijuesit tonë. Veçanërisht bashkojmë zërin dhe zemrën me Shkëlqesinë së Tij, Imamin e Madh, Dr. Ahmed al-Tajib dhe Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun, duke iu lutur Zotit të na largojë dhe mbrojë besimtarët dhe gjithë njerëzimin nga kjo pandemi.

Lusim Allahun e Lartmadhëruar në këtë muaj të begatë të Ramazanit, që t’i mëshirojë ata që humbën jetën, t’u japë shërim të shpejtë të gjithë të infektuarve, si dhe t’i sjellë sa më parë njerëzimit paqen, mirëqenien dhe qetësinë.

O Zot i Plotfuqishëm, na bëj njerëz të plotësuar nga ana trupore, mendore dhe shpirtërore. Bashkë me begatinë na shto pasurinë e zemrës dhe pastërtinë e shpirtit.

I lartësuar është Allahu i Madhëruar dhe Atij i takon falënderimi i pakufishëm. Paqja e bekimi i Zotit qoftë mbi të dërguarit e Tij.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
H. Bujar Spahiu